Vlorë, 23 Nëntor 2010 NOA / Rid Bulku – Maska për të mos u pikasur, armë për t’ia bërë “rrup-sup” viktimave të piketuara, makinë për të shpëtuar nga një ndjekje e mundshme policore dhe si qershi mbi tortë, fenelina policie, për ta bërë grabitjen edhe më të kollajshme.
Ashtu si në filma, kjo ka qenë strategjia e vënë në jetë edhe pse dështuar në momentet e fundit, nga një grup të rinjsh në Vlorë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Zbulimi u bë sot nga policia lokale e cila gjeti një autoveturë të tipit Benz me targa të Tiranës, pikërisht në dalje të qytetit të Vlorës.
Brenda mjetit gjendej një person në timon. Ai refuzoi t’i ndalojë policisë kur ajo i bëri shenjë të ndalej për një kontroll rutinë.
Këtu ka nisur dhe aventura si në filma. Shoferi i makinës ka rendur me të katra duke tentuar t’i shpëtojë ndjekjes policore.
Teksa kishte rritur shpejtësinë me makinën e tij, në një moment kur po përshkonte zonën në drejtim të Kaninës, tek vendi i quajtur Bishti i Kalldrëmit ka humbur ekuilibrin dhe u përplas jashtë saj, me një mur.
Duke dashur që kurrsesi të mos vjerë në dorën e policisë, ka vrapuar në drejtim të fshatit dhe duke përfituar nga orët me errësirë, ka arritur të zhduket në drejtim të paditur.
Policia ka bllokuar makinën dhe nga kontrolli që i bëri, gjeti një pistoletë me disa fishekë, dy maska të zeza, pajisje për shpërthim dyersh me thyerje, dorashka të ndryshme si dhe një fenelinë policie.
Hetimi policor vazhdon, por ai po bëhet më i vështirë për faktin se makina mbante targa të falsifikuara.
e.r/NOA