English

PS: Qeveria po nëpërkëmb Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura

Tiranë, 23 nëntor, NOA – Partia Socialiste ka denoncuar sot miratimin e aktit normativ të qeverisë për sigurimin shoqëror e suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Gardës Republikës dhe Policisë.

Deputeti i PS, Pirro Lutaj tha sot për mediat, se përveç shkeljes së ligjeve të mëparshme për sigurimin suplementar, qeveria synon të godasë këtë shtresë. “Dashakeqësia dhe cinizmi i kësaj qeverie ndaj shtresës së ushtarakëve duket qartë në përpilimin, miratimin dhe shfuqizimin e akteve formale “Për Sigurimin Shoqëror e Suplemantar” të tyre por që nuk u respektuan dhe nuk u zbatuan kurrë”, tha sot Lutaj.

Ai u shpreh se akti normativ bën që për këtë kategori të shoqërisë të vazhdojë e njëjta situatë denigrimi si deri tani.

“Mjafton ti kujtoj Sali Berishës se qysh prej muajit Korrik 2009, nuk përfitojnë sigurim shoqëror suplementar, qindra punonjës të kësaj shtrese edhe pse i kanë plotësuar kriteret respektive, sipas akteve ligjore në fuqi”, tha Lutaj.

Ai e cilësoi si qëndrim antiligjor, antihuman vendimin e qeverisë për moszbatimin e ligjeve dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, “për të cilat i dëgjojmë çdo ditë megafonat bajate të kësaj mazhorance, me në krye vet kryeministrin Berisha të thonë se gjoja për ta këto vendime janë të shenjta”.

Ai u shpreh se në tërësinë e tyre aktet normative janë të përkohshme dhe nuk zgjidhin asnjë problem.

“Ky akt normative ka për qellim të pengojë dhe të mos lejojë trajtimin e ushtarakëve të FA, të punonjësve të Policisë Shtetit, SHISH, Policisë Burgjeve, Gardës Republikës dhe Policisë MNZ, konform ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm e vetëm për shkak të urrejtjes që ka mazhoranca dhe vetë Sali Berisha ndaj shtresës së ushtarakëve, qofshin këta të FA, të Policisë Shtetit, apo edhe të SHISH”, tha Lutaj.

Ai u shpreh se nxjerrja e aktit Normativ shpreh thelbin e nëpërkëmbjes që kjo qeveri i bën kësaj shtrese të shoqërisë. “Ndërkohë që tregon qartë mungesën e respektit që kjo qeveri ka për Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky Akt-Normativ, nuk duhet të miratohet pasi: Nuk mund të ndryshohen dispozitat e një ligji me akte normative”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE