English

Qendra Kurajo: Jo politikë me fatkeqësitë e natyrës!

Tiranë, 23 Nëntor 2010 NOA/ R. Bulku - Qendra Kurajo kërkoi sot që të mos bëhet politikë me fatkeqësitë e natyrës dhe vlerësoi se klasa politike duhet të mendojë për qytetarët dhe jo për fushatën e radhës.

Kjo qendër, thotë se Tirana në kaos nga përmbytjet është kthyer në një betejë të mërzitshme elektorale nga dy kampet.

“Situata që përjetuam ishte nga më dramatiket dhe tregoi punën e dobët nga Bashkia, që prej 10 vitesh mburret se ka bërë Tiranën metropol perëndimor, por replikat dhe bërja politikë me këtë fatkeqësi është turpi i pa shpjeguar”, - thotë Qendra Kurajo.

Më tej ajo thekson:

Akuzat janë sjellje qesharake në prag fushate, qesharake për politikën që pas kësaj situate kërkon revanshin e prag fushatës.

Qytetarët janë të interesuar të dijnë se ku janë taksat dhe si janë administruar ato gjatë kësaj kohe? Ku është Tirana që premtohet se është qytet Europian, kur një studim i fundit i një qyteti të Kalifornisë na rendit një ndër 9 qytetet më të rrezikuara në botë nga tërmetet.

Kjo situatë u kalua në heshtje, ndërkohë që të gjithë jemi banues të tij, të gjithë votues dhe asnjë nuk protestoi ndaj këtij lajmi ogurzi.

Si do të eliminohet kjo situatë dhe si do të investohet nga Bashkia, e çila si rast unikal ne Europë nuk po kalon akoma buxhetin?!

Politika dhe skutat e saj po e dënojnë Tiranën duke e denigruar të ardhmen e saj mbi themele të pasigurta sizmiologjike, e kjo do të ishte akuza që duhej ngritur nga Prokuroria pas deklaratës se jemi të rrezikuar nga tërmetet.

Cilët duhet të vejnë në bangën e të akuzuarve për lejet e ndërtimit pa garancinë e sizmiologjisë?!

Kush janë përgjegjësit dhe cili duhet të marri dënimin e merituar për të shmangur një tragjedi të tillë?

Cilat janë rrugët qe mos përsëriten precedentë të tillë të rrezikshme për jetën e shtetasve?!

Qytetarët kërkojnë garanci dhe të ardhme të sigurt, si edhe miradministrim taksash, e jo akuza për refren fushate.

Policia ka kryer detyrën, ndërsa Bashkia mos e shoh si tentative grabitje kompetencash, pasi para fatkeqësive dhe ligjit janë të gjithë njëlloj.

Por politika edhe një herë arriti të dominojë mbi mendimin e opinionit dhe reagimin qytetarëve. Sot qytetarët debatojnë nëse kishte apo jo policë në kryqëzime dhe cila ishte shkalla e zgjuarsisë së reagimit të Ramës, apo përgjigjes së Bashës.

Sot askush nuk merrej me problemin e qytetarëve dhe kohën që humbën duke ndenjur të bllokuar në trafik.

Është koha për reagimi dhe për t’i dhënë një leksion kësaj klase politike, që nuk ka hallin se çfarë u mungon qytetarëve, por si ta përdori dramën e përditshme për efekt mediatik dhe fushatë elektorale”, - përfundon reagimi nga Qendra Kurajo.

e.r/NOA

KOMENTE