English

Rama-Maud de Boer Buquichio: Oferta e re mot a mot si rezoluta e PE për zgjidhjen e krizës

Tiranë, 23 nëntor, NOA – Kriza politike e tejzgjatur, oferta më e re e opozitës për zgjidhjen e saj përmes hetimit vetëm të materialeve zgjedhore pa fletët e votimit si dhe opinioni i komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat ishin në qendër të takimit të sotëm të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama me zëvendëssekretaren e përgjithshme të Këshillit të Europës, Maud de Boer Buquichio.

Gjatë këtij takimi Rama e njohu Znj. De Boer/Buquichio me ofertën më të fundit që opozita i ka ofruar qeverisë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike, ofertë e cila iu dorezua vetë Kryeministrit nga Kryetari i opozitës.

Shefi i selisë rozë, theksoi se kjo ofertë i është përshtatur “mot a mot” rezolutës së Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës përmes transparencës, duke krijuar një komision parlamentar, me shumicë dhe kryetar të partisë Socialiste, që do të bëjë sikundër tha ai, transparencë dhe do të hetojë zgjedhjet e 28 Qershorit dhe me objekt të hetimit kutitë e materialeve zgjedhore.

Kryetari i PS-së, bisedoi gjithashtu edhe për progres-raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Këtu, zoti Rama nënvizoi problematikën mbi lirinë e medias dhe presionin, që ushtrohet nga pushteti mbi botuesit, gazetarët dhe analistët e mediave shqiptare.

Ai foli për konfliktin e pushtetit qendror me atë vendor në çdo nivel dhe për kulturën e pandëshkueshmërisë dhe moszbatimit të ligjeve, që sikundër tha Rama karakterizon këtë qeveri, një fakt që përmendet gjerësisht edhe në progress raportin e BE-së.

mit/NOA
KOMENTE