English

Rama: Qeveria sjellje antiqytetare dhe antishqiptare ndaj pushtetit vendor

Tiranë, 23 nëntor, NOA Update – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka komentuar dhe një herë sot bllokimin e trafikut gjatë ditës së djeshme në Tiranë. Ai u shpreh se fakti që sot nuk ka trafik në Tiranë, shpjegon edhe më mirë atë që ndodhi një ditë më parë, duke fajësuar kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Shoqatës së Autonomisë Vendore Rama është ndalur në marrëdhëniet mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Ai u shpreh se po degradon gjithçka.

“I gjithë oborri i kësaj qeverie është ngritur mbi vjedhjen e zgjedhjeve. Një regjim antidemokratik i korruptuar dhe korruptues, që synon të instalohet përfundimisht, duke i hequr shqiptarëve të drejtën e gjykimit me votë”, tha Rama.

Kreu i PS-së u shpreh se në këtë vend qytetarët po humbasin shpresën dhe besimin për të jetuar normalisht.

Duke u ndalur në disa prej rasteve të përplasjes mes bashkive dhe pushtetit qendror, Rama u shpreh se kjo është një sjellje anti-shqiptare. “Qytetarët nuk e votojnë këtë qasje anti-europiane dhe ndoshta anti-shqiptare. Ne nuk jemi vend që mund të lejomë luksin, që mund të pranojmë të zhduken në një qyet si Korça, qoftë edhe 20 pemë”, tha Rama.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se raste të tilla janë të përsëritura në gjithë vendin.

“Si ka mundësi që e njëjta forcë me të njëjtin vizion të mbrapshtë, me të gjitha mënyra vandale, në të njëjtën formë dhe kohë dhe ndaj të njëjtës palë që është opozita, sot përsërit vetveten si në Zogun e Zi, si në trafikun e Tiranës, si në qendrën e Korçës, si në hapësirën qytetare të Elbasanit, Gjirokastrës dhe Korçës e me radhë”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE