English

Shoqata për Autonominë Vendore: Po sulmohen bashkitë dhe komunat e opozitës

Tiranë, 23 nëntor, NOA - Shoqata për Autonominë Vendore, në një deklaratë për shtyp, ka paraqitur shqetësimin e saj mbi përshkallëzimin e sulmeve kundër bashkive dhe komunave të drejtuara nga përfaqësues të opozitës.

“Dëmtimi i investimeve publike në qytetin e Korçës në një skenar të turpshëm me shkatërrime trotuaresh dhe shkulje pemësh është një akt barabar që krijon një precedent të rrezikshëm për zhvillimet politike në Shqipëri. Akte si këto janë krejtësisht të papranueshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve qofshin këto edhe politike”, deklaroi drejtori ekzekutiv i SHAV, Bledar Çuçi.

Sipas tij, këto akte dëmtojnë, po ashtu, shpresat dhe përpjekjet e shqiptarëve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, sepse në BE nuk shkohet duke u kthyer tek lëvizja ludiste.

“Akti barbar që ndodhi natën e së shtunës nuk drejtohet vetëm kundër punës dhe investimeve të bashkisë së Korçës. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha ky akt drejtohet kundër qytetarëve të Korçës, me taksat e të cilëve ndërtohen trotuaret dhe mbillen pemët dhe të cilët do të ecin mbi ata trotuarë”, shtoi ai.

Duke përfunduar se “Shoqata për Autonomi Vendore vlerëson se ngjarje të tilla marrin jetë në frymën e një sulmi të pandërprerë dhe të paskrupullt të qeverisë Berisha dhe njerëzve që e përfaqësojnë atë në qeveritë vendore, kundër bashkive dhe komunave të drejtuara nga opozita”.

“Kjo qeveri, duke shkelar me të dyja këmbët Kushtetutën dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore, u ka mohuar këtyre bashkive e komunave të drejta që u takojnë, ka bllokuar arbitrarisht fondet e tyre, ka penguar investime të financuar nga donatorë ndërkombëtarë, ka miratuar ligje që synojnë të asfiksojnë punën e këtyre bashkive dhe komunave në të mirë të komunitetit dhe së fundi kërkon që me forcën e kartonit të grabisë buxhetet vendore”, përfundon deklarata e SHAV-së.

n.e/NOA

KOMENTE