English

Topalli me Kryetarin e Dumës ruse: Kapitull i ri bashkëpunimi

Moskë, 23 nëntor, NOA/ Rid Bulku– Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë do të njohin një kapitull të ri bashkëpunimit. Ky është mesazhi që kanë përcjellë gjatë takimit Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryetari i Dumës Shtetërore, Boris Grizllov.

Boris Grizllov, duke i uruar mirëseardhjen zonjës Jozefina Topalli, u shpreh se, ndonëse pas një pauze shumë të gjatë, marrëdhëniet mes dy vendeve tashmë kanë një bazë ligjore me rreth 30 marrëveshje të nënshkruara dhe në pritje për t’u finalizuar edhe rreth 10 të tjera.

Vizita e Topallit në Moskë merr një rëndësi të veçantë duke qenë se nga viti 1995, kjo është vizita e nivelit më të lartë në dialogun politik dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryetari i Dumës ruse e njohu zonjën Jozefina Topalli me një fakt, që ai e cilësoi interesant, se numri i të rinjve nga Shqipëria, që studiojnë në Rusi, është më i larti, krahasuar me ata të vendeve evropiane.

Gjatë këtyre viteve 400 shqiptarë kanë mbaruar studimet dhe, aktualisht, janë 150 ata që po studiojnë në të gjitha nivelet arsimit të lartë në Rusi.

Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit tha se heqja e vizave për Shqipërinë shton shanset për të rinjtë shqiptarë për të zgjedhur vendin ku do të arsimohen, si gjithë të rinjtë evropianë.

Zonja Topalli nënvizoi se duke nisur nga 15 Dhjetori shqiptarët do të lëvizin pa viza në Evropë.

“Unë e lexoj ftesën dhe mikpritjen tuaj si shprehje të vullnetit pozitiv për të çuar më tej marrëdhëniet tona. Mendoj se është momenti të ridimensionojme dialogun politik dhe bashkëpunimin në fushat me interes reciprok”, tha Topalli.

Duke theksuar se Shqipëria dhe Rusia kanë njohur lidhje historike, të dy homologët vlerësuan se është momenti për një kapitull të ri bashkëpunimi dhe se kjo vizitë nxit bashkëpunimin ndërparlamentar, por edhe inkurajon hapa konkretë në marrëdhëniet në tërësi midis dy vendeve.

Në këtë kuadër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli konsideroi të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe të energjisë. Ajo tha se Shqipëria vlerëson shumë përfshirjen e saj, si degëzim në projektet e gazsjellësve të mëdhenj, si Rryma e Jugut.

Kryetari i Dumës tha se Rusia, si eksportuese e naftës dhe e gazit, sheh me interes edhe ngritjen e industrisë përpunuese në Shqipëri. Duke vlerësuar potencialet turistike të Shqipërisë, zoti Grizllov u shpreh se për rusët është me interes të investojnë në këtë fushë.

Në bisedë është folur dhe për perspektivën evropiane të Ballkanit.

“Ne besojmë se njohja e pavarësisë së Kosovës ka ndikuar në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Topalli.

Një nga temat e bisedës ishte edhe Samiti i NATO-s, i zhvilluar para pak ditësh në Lisbonë. Duke theksuar se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ka dhënë një kontribut aktiv në operacionet e Aleancës, zonja Topalli e konsideroi si historik Samitin e Lisbonës, “Çmoj vlerësimin tuaj për këtë samit dhe mendoj se rezultatet shumë të rëndësishme të këtij samiti, hapin një perspektivë shumë të mirë për të ardhmen e përbashkët”, Boris Grizllov.

Topalli e ftoi homologun e saj rus të vizitojë Shqipërinë, një vizitë që shënon hapa konkretë në marrëdhëniet mes Parlamenteve dhe që nxit takime të nivelit të lartë mes dy qeverive.

a.k/NOA

KOMENTE