Viti 2011 do të jetë viti i Europës Qendrore. Hungaria merr kryesimin e radhës së presidencës së Bashkimit Europian, më 1 janar 2011, ndërsa gjashtë muaj më pas, presidenca kalon në duart e Polonisë, një prej vendeve të reja më të zhvilluara në gjirin e BE-së, me një popullsi afro 40 milionë banorë
Nga Per Nyholm
Marrëdhëniet tona me Europën Qendrore të ngjallin kureshtje. Duket sikur Europa ka ndalur në ujerat e Elbës dhe Odrit. Duke anashkaluar faktin se u hodhën hapa të rëndësishëm përpara qysh më rënien e komunizmit, ne mbetemi ende të varur nga stereotipat e së shkuarës. Ju ka ndodhur shpesh të dëgjoni se banorët e këtij rajoni janë të interesuar vetëm në projektet evropiane, pasi u mundëson të përvjedhin vendet tona të punës, të përfitojnë nga sistemi i mirëqenies sociale. Epo, vërtet Shengeni vepron në mënyrë të këtillë? A mundet vallë që heqja e kufijve të na ketë lënë pa mjetet e duhura për t’u vetëmbrojtur nga dyndjet e kriminelëve që kanë përmbytur vendet tona të vogla? Kjo ndjesi pakënaqësie, që shpesh vesh edhe petkun e racizmit, po njeh rritje veçanërisht në Danimarkë. Mungesa e perspektivave historike është po aq tragjike, sa edhe makthi ynë që nuk po njeh cak. A mund ta shohim “peizazhin’ në të gjitha ngjyresat e tij, qoftë edhe për një çast? Fakti që ne jetojmë në një Europë thuajse të përbashkuar me mbush dita-ditës me gëzim e hare. Ndërkaq, pa pasjen e një Europe Qendrore ne mesin e tërësisë evropiane, ne do të jetonim në një Europë artificiale, të ndarë mes SHBA-së dhe Rusisë. Në Varshavë, ndoshta jo në më të bukurin, por padyshim kryeqytetin më me gjallëri të Europës së Re, me besim te forcat e veta dhe i prirë ndaj nismave sfiduese, shpesh i them vetes, se sikur të kisha qenë edhe një herë i ri, do të kisha dëshiruar të jetoja atje. Në dijeninë time, nuk ka qoftë edhe një gazetar të vetëm danez në Poloni, që të flasë për provincializmin e profesionit të gazetarit dhe pengesat e vështirësitë që hasen në shtypin e shkruar. Viti 2011 do të jetë viti i Europës Qendrore. Hungaria merr kryesimin e radhës së presidencës së Bashkimit Europian, më 1 janar 2011, ndërsa gjashtë muaj më pas, presidenca kalon në duart e Polonisë, një prej vendeve të reja më të zhvilluara në gjirin e BE-së, me një popullsi afro 40 milionë banorë, me një qeveri dukshëm të aftë liberal-demokrate, ku elementët kripto-fashistë nuk t’i zë më syri korridoreve të pushtetit; një vend me kulturë dhe traditë të lashtë, me një program bashkëkohor dhe me një qeveri në aktivitet të plotë politik, me një rritje të shpejtë ekonomike dhe që ndodhet në një pozicion strategjik mes Gjermanisë dhe Rusisë. Sa i takon Hungarisë, ndonëse nuk zotëron të njëjtin nivel burimesh financiare, edhe ajo ka një projekt zhvillimi të qartë dhe të mirëpërcaktuar: stabilitetin e pellgut të Danubit, një rajon me potenciale të mjaftueshme që shtrihet nga Bavaria deri në Detin e Zi. Polonia është me e begatë krahasuar me Hungarinë, por planet e saja nuk janë edhe aq të detajura. I duhet të marrë mbi shpinë përgjegjësinë e zgjerimit më në Lindje të BE-së, duke mbërritur deri në vendet baltike, në një Bjellorusi të trazuar, në një Ukrainë tashmë jo-premtuese, dhe në Moldavi, ku problemeve të Trans-Dnjestrisë u duhen gjetur zgjidhjet e duhura, nëse polakët përmirësojnë marrëdhëniet me Rusinë dhe BE-në. Këtyre kohëve, marrëdhëniet ruso-polake janë në nivel të kënaqshëm, por ende larg asaj që duhet të jenë. Në Varshavë, ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji nuk shlyhet lehtë nga kujtesa, ndërkohë që cic-micet e rusëve sa në Paris aq edhe në Berlin, shihen me ndjenjë dyshimi dhe përthithen si orvatje që synon mënjanimin e rolit të Polonisë. Danimarkës do t’i duhet të luajë rolin e saj, pasi më 1 korrik 2011 do të bëhet pjesë e “Trojkës” përpara se të marrë presidencën e radhës së BE-së, në vitin 2012. Por nëse qëmton në synimet, idetë dhe projektet daneze për këto mandate, do të vëresh mungesë ambicieje dhe burimesh financiare. Siç ka vërejtur edhe një analist i njohur: “Me presidencën daneze të BE-se do të kemi më pak shpenzime”. Sa keq! Jo vetëm që duhet të lëvizë shpejt në zgjidhjen e çështjeve të veçanta, por presidenca daneze duhet të shndërrohet në flamur-mbajtëse e projekteve të përbashkëta evropiane që mundësojnë krijimin e lidhjeve të qëndrueshme e të forta mes Vendeve të Baltikut, Europës Qendrore dhe Europës Perëndimore. Ndërkohë që vendet euro-perëndimore kanë shfaqur jo rrallë herë shenja arrogance, duke e parë veten si Europa e Vërtetë. Fuqizimi i statusit të vendeve që tashmë janë të privilegjuara nuk duket se shërben si zgjidhje dobiprurëse e bashkimit të europianëve.