English

Bashkia: Qeveria ktheu policinë e shtetit në vegël të ulët pushteti

Tiranë, 24 nëntor, NOA – Pas akuzave të kryeministrit Sali Berisha që në mbledhjen e sotme të qeverisë deklaroi se kryebashkiaku Rama nuk ndërtoi dot Unazën e Madhe përgjatë 12 vitesh në krye të Tiranës, Bashkia e Tiranës reagoi duke shpjeguar se bashkia ka qenë dakort, që ky projekt të realizohej bashkë me qeverinë.

Zëdhënësi i bashkisë së Tiranës, Florion Serjani vuri në dispozicion të mediave dy letra ku provohej se me miratimin e 20 milionë eurove kredi për Unazën e Madhe nga Këshilli Bashkiak dy vjet më parë, Kryetari i Bashkisë i shprehu Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim gatishmërinë e plotë, që ky projekt të jetë i përbashkët me qeverinë”.

Duke shprehur keqardhjen për të pavërtetat e deklaratave të shefit të qeverisë dhe fjalorin banal të tij, Serjani sqaroi se “analiza e bërë nga Drejtoria e Transporteve konkludoi se bllokimi i parmbrëmshëm i Tiranës ka qenë i organizuar dhe orkestruar politikisht, duke e kthyer Policinë e Shtetit në vegël të lojës së ulët të pushtetit”.

“Mjafton të themi se në tre pika kyçe, ku policia ka edhe çelësin e semaforëve, semaforët janë fikur, ndërkohë që policët janë zhdukur nga një prej tyre dhe nga shumë pika të tjera nevralgjike të qarkullimit”, tha zëdhënësi i Bashkisë.

Po kështu zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës i ka dhënë përgjigje kryeministrit Berisha edhe lidhur me numrin real të punonjësve të Bashkisë, duke theksuar se “akuzat e kryeministrit Berisha për shtimin e tyre këto pesë vjet, janë tërësisht të gënjeshtërta dhe që dëshmojnë se kryeministri ose tallet me shqiptarët ose e ka humbur fare arsyen”, përfundoi zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit.

mit/NOA
KOMENTE