English

Berisha: Kemi mundësi turistike për tu bërë model për vendet e tjera

Tiranë, 24, nëntor, NOA - “Shqipëria ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar turizmin e ri, turizmin e shekullit të XXI, për tu bërë një model frymëzues për vendet e tjera”. Kjo është deklarata që ka bërë sot kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit Taleb Rifai

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Berisha u shpreh se gjatë 6 viteve turizmi në vend është rritur me 11 herë.

“Fakti që në një hark kohor 6 vjeçar turizmi është rritur 11 herë tregon se këtu, pa diskutim, rol kryesor ka luajtur dhe luajnë bukuritë mahnitëse të këtij vendi, pasuritë përrallore të trashëgimisë historike-kulturore të qytetërimit të saj dhe të njerëzimit në tërësi, mikpritja tradicionale e shqiptarëve është një ndër më të mirat që mund të ekzistojë, përpjekjet e qeverisë time për të ndërtuar një infrastrukture të re, të denjë për vendin dhe mikpritjen e tij”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se vizita e përfaqësuesit të Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai është një tregues i këtyre zhvillimeve.

Kreu i qeverisë theksoi se do të bëhet e mundur që të merret çdo përvojë nga vendet më të avancuara në këtë drejtim.

“Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të përfitojmë nga dijet, eksperiencat më të mira që ju dispononi në sektorët kësaj organizate. Sikundër, mbetemi të vendosur për një turizëm tërësisht miqësor ndaj mjedisit. Ne kemi shembuj në vend që nuk do të përsëriten më kurrë. Sepse e vërteta është që disa qytete tona të bregut kanë pësuar dëmtime të mëdha, por fatmirësisht 92 për qind e bregut dhe tërësia e maleve është e virgjër dhe pret standardet më të mira të zhvillimit”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE