English

Biznesi, larg bankave

Rritja e ngadaltë e kërkesës së brendshme është reflektuar edhe në kërkesë të ulët të sektorit privat për financim nga sistemi bankar. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 8.0% në muajin shtator, duke mbetur e njëjtë me mesataren e dy muajve të parë të tremujorit të tretë të vitit. Megjithatë, në një vështrim më të shtrirë në kohë, ritmet e zgjerimit të kredisë janë në nivele të ulëta

Nga Ardian Fullani

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të tretë e në vijim, ka ruajtur trajtat kryesore të zhvillimit, të ndjekura gjatë gjysmës së parë të vitit. Bazuar në të dhënat e disponuara, të cilat janë paraprake dhe kryesisht të tërthorta, Banka e Shqipërisë konstaton se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet në terma vjetorë. Stabiliteti makroekonomik është konsoliduar më tej, ndërkohë që presionet inflacioniste mbeten të kontrolluara dhe primet e rrezikut kanë ardhur në rënie.

Rritja ekonomike është mbështetur më shumë në kërkesën e huaj dhe në aktivitetin e gjeneruar nga një sezon i mirë turistik gjatë tremujorit të tretë. Me gjithë përmirësimin e saj, kërkesa e brendshme mbetet e dobët, e ndikuar edhe nga tërheqja e fortë e stimulit fiskal në gjysmën e dytë të vitit.

Projeksionet tona për të ardhmen ruajnë në nivelet aktuale ritmet e rritjes ekonomike dhe flasin për presione përgjithësisht të kontrolluara inflacioniste. Ato faktorizojnë një kontribut më të madh të sektorit privat në gjenerimin e rritjes ekonomike, si dhe një mbështetje më të madhe të ekonomisë në kërkesën e brendshme kundrejt asaj të huaj. Këto zhvillime do të favorizohen nga qëndrueshmëria makroekonomike dhe nga rënia e primeve të rrezikut në tregjet financiare.

Presionet e ulëta të sektorit publik në tregun e brendshëm financiar, si dhe treguesit e përmirësuar të likuiditetit të sistemit bankar, pritet të nxitin më tej aktivitetin kreditues, në mbështetje të konsumit e të investimeve në ekonomi. Ecuria e kursit të këmbimit parashikohet të jetë më e qëndrueshme, e mbështetur nga raporte më të balancuara të kërkesës e të ofertës për valutë.

Nga ana tjetër, materializimi i skenarit të mësipërm mbart në vetvete edhe disa pasiguri, trajtimi i të cilave do të kushtëzojë politikat e administrimit makroekonomik dhe vendimmarrjen e tyre. Ecuria e ekonomisë shqiptare përkundrejt zhvillimeve të skicuara më lart do të ndikojë qëndrimin e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen.

***

Konteksti botëror, i cili ka rrethuar zhvillimet ekonomike në vend, karakterizohet nga pasiguri të shtuara. Ekonomia botërore ka vijuar të shfaqë ritme pozitive, por në rënie, të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit. Ky ngadalësim pritet të vazhdojë edhe në tremujorin e katërt. Ai i dedikohet në një masë të madhe zbehjes së stimulit fiskal, ecurisë së dobët të tregut të punës, korrektimit të mëtejshëm të bilanceve të agjentëve ekonomikë dhe nivelit të ulët të besimit konsumator. Presionet inflacioniste në rang botëror mbeten të ulëta, por çmimet e mallrave bazë dhe të produkteve ushqimore kanë shënuar rritje. Së fundi, luhatjet e tregjeve financiare janë shtuar, si pasojë e pasigurive që karakterizojnë ecurinë e borxhit publik të disa vendeve.

Këto zhvillime kanë prodhuar një ambient më pak të favorshëm për zhvillimin e ekonomisë vendase. Kryesisht, këto rreziqe shprehen në projeksionet për një kontribut më të ulët të kërkesës së jashtme në rritjen ekonomike të vendit, si dhe në ndikimet e mundshme në inflacion të tendencës rritëse të çmimeve të mallrave bazë. Gjithashtu, burimet e huaja të financimit e të kapitalit mund të vazhdojnë të jenë të kufizuara për një kohë më të gjatë sesa pritej, si rrjedhojë e hezitimit në ndërmarrjen e rrezikut nga investitorët e huaj.

Duke u kthyer në zhvillimet në vend, duhet thënë se informacioni statistikor mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të tretë e në vijim, mbetet paraprak dhe jo i plotë. Megjithatë, treguesit e tërthortë të disponuar sugjerojnë se ritmet pozitive të rritjes së ekonomisë shqiptare janë shtrirë edhe gjatë kësaj periudhe. Njëkohësisht, këto të dhëna tregojnë për një kompozim më të ndryshëm të rritjes së aktivitetit ekonomik në krahasim me gjysmën e parë të vitit. Kështu, kjo rritje është mbështetur më shumë nga kërkesa e sektorit privat, ndërkohë që kontributi i sektorit publik ka ardhur në rënie. Gjithashtu, kërkesa e brendshme ka pasur një kontribut të shtuar në rritjen ekonomike, ndërsa ndikimi i kërkesës së huaj në aktivitetin ekonomik paraqitet më i dobët.

Analiza e të dhënave indirekte mbi konsumin dhe investimet private sugjeron për tendenca pozitive, por njëkohësisht edhe për një rritje të ngadaltë të tyre. Aftësia e sektorit privat të ekonomisë, për të kompensuar hapësirën e lënë nga stimuli fiskal në rritjen ekonomike do të mbetet përcaktuesi kryesor i kësaj rritjeje në të ardhmen. Banka e Shqipërisë gjykon se perspektiva e zhvillimit të vendit dhe kushtet aktuale financiare, mundësojnë një rritje më të shpejtë të kësaj kërkese. Mbi të gjitha, konsumi vuan nga pasiguria për të ardhmen ndërkohë që investimet private kanë nevojë për politika orientuese konkrete dhe të qarta.

Banka e Shqipërisë vlerëson se konsumatori e biznesi shqiptar kanë hapësira dhe duhet të adoptojnë një sjellje më optimiste, në drejtim të rritjes së konsumit e të investimeve në vend për të siguruar një rritje ekonomike në potencialin e saj.

Sektori fiskal ka vijuar të ndjekë një politikë të kujdesshme, në funksion të mbajtjes nën kontroll të deficitit buxhetor e të borxhit publik. Deficiti buxhetor prej 23.9 miliardë lekësh i rezultuar deri në muajin shtator është pothuajse 50% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, shpenzimet publike u kontraktuan me 3.3% gjatë nëntë muajve të parë të vitit, të udhëhequra nga reduktimi i ndjeshëm i shpenzimeve kapitale.

Nga ana tjetër, të ardhurat e realizuara gjatë kësaj periudhe janë rreth 7.1% më të larta se një vit më parë dhe ritmi vjetor i rritjes së tyre ka ardhur duke u forcuar. Banka e Shqipërisë ka mbështetur masat e marra dhe rezultatet e arritura në drejtim të konsolidimit fiskal gjatë vitit 2010.

Megjithatë, në kushtet kur borxhi publik mbetet në limitet e nivelit 60% të PBB-së, ne e gjykojmë si të domosdoshme ruajtjen e vigjilencës fiskale edhe në vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, hartimi i buxhetit dhe i projeksioneve të treguesve fiskalë për vitin 2011 e në vazhdim duhet të bazohet mbi supozime dhe parashikime të kujdesshme, duke faktorizuar e adresuar siç duhet edhe faktorët potencialë të rrezikut. Kjo do të siguronte një ndër premisat kryesore në përmbushjen e objektivave të deficitit fiskal dhe të borxhit publik, duke i shërbyer kështu qëndrueshmërisë fiskale në afat të mesëm e të gjatë.

Të dhënat më të fundit mbi sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për zbehjen e ritmeve të korrektimit të deficitit tregtar, e ndikuar kjo njëkohësisht nga moderimi i rritjes së eksporteve dhe nga rritja më e shpejtë e importeve.

Deficiti tregtar është tkurrur me vetëm 0.7% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë të vitit, si pasojë e rritjes me 45.3 për qind të eksporteve dhe e rritjes me 9.5 për qind të importeve. Zbehja e veprimit të faktorëve të përkohshëm pritet ta sjellë ecurinë e eksporteve në një trajektore më normale rritëse ndërkohë që, në linjë me gjallërimin e kërkesës, importet do të paraqiten më të qëndrueshme. Në këto rrethana, korrektimi dhe qëndrueshmëria e deficitit të llogarisë korrente do të kërkojnë një vëmendje më të madhe në të ardhmen.

Zhvillimet ekonomike kanë prodhuar një ambient me presione të balancuara inflacioniste. Rritja e ekonomisë nën nivelin potencial të saj ka vepruar në kahun rënës mbi inflacion, duke eliminuar presionet e shtuara inflacioniste të ardhura nga inflacioni i importuar apo nga rritja e çmimeve të administruara. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuuar në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe për kontrollin e pritjeve inflacioniste.

Inflacioni vjetor i muajit tetor rezultoi 3.0%, duke shënuar një rënie prej 0.4 pikësh përqindjeje në krahasim me muajin shtator. Mungesa e presioneve inflacioniste nga kahu i kërkesës është shprehur në vlera të ulëta të inflacionit bazë prej 1.9%.

Ndërkohë, qëndrueshmëria në rritje e kursit të këmbimit ka ndikuar në ngadalësimin e inflacionit të importuar. Reduktimi i normës totale të inflacionit në këtë muaj i dedikohet në një masë të madhe shuarjes së efekteve të rritjes së disa prej çmimeve të administruara një vit më parë. Ecuria e inflacionit do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e rritjeve të mëparshme të çmimeve të administruara deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm dhe mund të ndikohet nga rritje të tjera të tyre në të ardhmen.

Analiza e ecurisë së treguesve monetarë, konfirmon praninë e presioneve të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi në periudhën afatmesme. Rritja vjetore e ofertës së parasë rezultoi 12.4% në muajin shtator, duke iu afruar mesatares historike të saj.

Ndërkohë, rritja e ngadaltë e kërkesës së brendshme është reflektuar edhe në kërkesë të ulët të sektorit privat për financim nga sistemi bankar. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 8.0% në muajin shtator, duke mbetur e njëjtë me mesataren e dy muajve të parë të tremujorit të tretë të vitit. Megjithatë, në një vështrim më të shtrirë në kohë, ritmet e zgjerimit të kredisë janë në nivele të ulëta.

Banka e Shqipërisë gjykon se gjendja e bilanceve dhe situata financiare e sistemit bankar i mundëson atij një rol më aktiv në nxitjen e kreditimit në të ardhmen. Banka e Shqipërisë ka siguruar kushtet e përshtatshme për mbështetjen e aktivitetit kreditues nëpërmjet:

furnizimit të bollshëm të tregut me likuiditet,

ruajtjes së stabilitetit makroekonomik,

garantimit të shëndetit financiar të sistemit bankar, si dhe

uljes së normave të interesit dhe transmetimit të plotë në tregjet financiare.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga prime të ulëta të rrezikut dhe të likuiditetit, reflektuar në rënien e mëtejshme të “yield”-eve në tregun primar dhe të normave interesit në tregun e depozitave e kredive në lekë. Në tregun ndërbankar, normat afatshkurtra të interesit kanë qëndruar pranë normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Tregtimi i valutës në tregun vendas ka qenë gjithashtu i qetë. Kursi i këmbimit ka qenë më i qëndrueshëm, si pasojë e korrektimit të deficitit të llogarisë korrente dhe ekuilibrave të tjerë makro-financiarë në ekonomi.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në periudhën afatmesme janë të kontrolluara. Pritjet inflacioniste vazhdojnë të jenë të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin.

Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Faktorët e rrezikut që rrethojnë këtë skenar bazë paraqiten gjithashtu të balancuar.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.00 për qind.

KOMENTE