English

“Çifti i Shqyer” pushton Teatrin e Metropolit

Tiranë, 24 nëntor, NOA/ Nga Milena Selimi - Komedia groteske e të famshmit Dario Fo do të jetë sërish në skenën shqiptare. E parapëlqyer për regjisorët “Çifti i shqyer” duket se tërheq vëmendjen e publikut me teorinë, mesazhet dhe reflektimin mbi marrëdhëniet në çift. Komedia, e cila do të vazhdojë sezonin në Teatrin e Metropolit, është një pjesë e krijuar nga çifti i famshëm Dario Fo dhe Franca Rama.

Kjo komedi trajton në mënyrë groteske historinë e një çifti të martuar. Gruaja është një femër në depresion e cila ka tentuar disa herë vetëvrasjen, e zhgënjyer nga tradhtitë e vazhdueshme të bashkëshortit të saj. Nga ana tjetër, burri është në një përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur këtë mënyrë jetese të tij si një gjë shumë normale dhe të shëndetshme.

Ai pretendon se “çifti i hapur” është një domosdoshmëri për kohën tonë, ku secili nga partnerët nuk është i detyruar të jetë besnik, por duhet të kërkojë “shkëndija dhe pasione të tjera” edhe jashtë rrethit familjar. Gjithçka shkon mirë deri në momentin kur e shoqja, Antonia, e pranon këtë realitet për bashkëshortin e saj. Por, në momentin kur ajo vetë vendos të lidhet me dikë tjetër, një profesor inteligjent, i cili është edhe studiues bërthamor shumë i pashëm, atëherë gjërat nuk do të jenë më kaq të bukura për bashkëshortin.

Kjo pjesë që vazhdon premierat në Teatrin Metropol me regjinë e Julia Sinanit dhe Armela Demaj është ndërtuar me mjaft situata komike dhe groteske. Garanton të qeshura, por edhe një reflektim mbi gjendjen aktuale të institucionit të familjes. Me skenografi të Beqo Nanaj, kostumografi të Bukuroshe Sinanit dhe lojën e aktorëve Klodjana Keco dhe Ledion Zoi, kjo shfaqje do t’ju çojë në një tjetër hapësirë dhe kohë, duke sjellë zhvillimin kronologjik të ngjarjeve brenda këtij çifti, duke na bërë të reflektojmë dhe të mendojmë me seriozitet për familjen, qelizën bazë të shoqërisë njerëzore.

m.s/n.e/NOA
KOMENTE