English

Deficiti i demokracisë shqiptare

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do vazhdojnë të sillen me arrogancë dhe papërgjegjshmëri derisa rregullat e lojës politike t’i vendosin ata, derisa ata të mos kenë konkurrencë politike

Nga Dritan Prifti

Para një viti, kur unë dhashë votën i pari për të krijuar maxhorancën e Sali Berishës, mendova të kontribuoja për të realizuar tri objektiva. Së pari, Shqipërisë i nevojitej stabilitet politik për të realizuar heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në Europë. Së dyti, Shqipëria duhet të merrte statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian dhe, së treti, t’i jepja një mundësi LSI-së për të kontribuar profesionalisht në qeverisjen e vendit. Shumë njerëz më pyesin sot nëse jam bërë pishman që i dhashë maxhorancën Sali Berishës, meqenëse atij nuk i mbajti mirënjohja për mua më shumë se një vit? Unë u jam përgjigjur të gjithëve atyre që më pyesin, se nuk jam bërë pishman. Unë kam bindjen se nëse nuk do ishte bërë koalicioni PD-LSI pas zgjedhjeve të 2009-s, shqiptarët sot nuk do ta kishin mundësinë e lëvizjes së lirë pa viza në Europë. Në këtë kontekst jam i kënaqur që dhe unë kam dhënë kontributin tim për qytetarët e vendit tim, ashtu siç duhet të bëjë çdo politikan patriot. Por qeveria e koalicionit PD-LSI nuk arriti t’i japë dot Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. Kjo qeveri dështoi në mënyrë të padenjë të bëjë transparencën e munguar të zgjedhjeve të vitit 2009, dështoi të tregojë që vendi jeton një demokraci funksionale sipas standardeve europiane. Europa në vendimin e saj për refuzimin e statusit të vendit kandidat rreshtoi dhjetëra arsye, por dhe harroi disa arsye. Europa vuri theksin në mungesën e kompromisit politik pozitë-opozitë, në keqfunksionimin e Parlamentit, tek korrupsioni dhe keqqeverisja, por Europa harroi të theksojë deficitin demokratik më të dëmshëm për vendin: mbylljen e hapësirave ligjore për konkurrim të ndershëm elektoral për forca të reja politike që mund të lindin në të ardhmen. Europa dhe Amerika, mbi dy vjet më parë, përshëndetën ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral që aprovuan me konsensus PD-ja dhe PS-ja në Parlament. Ai Kod Elektoral, që realizoi zgjedhjet e vitit 2009, është arsyeja kryesore e katrahurës së sotme politike, ai Kod Elektoral është arsyeja pse PD-ja dhe PS-ja ngrefen sot në podiumet partiake, të pashqetësuar as nga fakti që po shkatërrojnë vendin e tyre dhe po punojnë kundër interesave të zgjedhësve të tyre. Kodi i vjetër elektoral u jep kontroll të plotë vetëm këtyre forcave politike të kontrollojnë gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve, të kontrollojnë komisionerët, numëruesit e votave, dhe gjithë procesin e votimit. Kodi i vjetër elektoral u jep të drejtën këtyre dy forcave politike të vjedhin sa të duan votat e subjekteve të tjera, dhe askush mos të ketë asnjë mundësi t’i penalizojë vjedhësit. Kodi i vjetër elektoral del mbi Kushtetutën dhe ligjin kur i kërkon 10 000 firma të noterizuara një subjekti të ri politik për të marrë pjesë në zgjedhje. Kodi i vjetër elektoral godet çdo lloj demokracie apo lirie zgjedhore, sepse cenon lirinë e konkurrimit politik dhe cenon po kaq rëndë dhe barazinë e votës. PD-ja dhe PS-ja do vazhdojnë të sillen me arrogancë dhe papërgjegjshmëri derisa rregullat e lojës politike t’i vendosin ata, deri sa ata të mos kenë konkurrencë politike. Si në çdo treg, edhe në tregun politik, konkurrenca duhet të diktojë zhvillimin. Nuk është aspak e drejtë që politika kërkon konkurrencë në ekonomi dhe bllokon çdo lloj konkurrence në politikë. Europa duhet të alarmohet nga ky deficit i tmerrshëm demokratik që vazhdon të ekzistojë, edhe me bekimin e saj. Europa duhet ta dijë që Hitleri erdhi në pushtet me një shumicë parlamentare dhe në mënyrë demokratike. Një shumicë parlamentare, qoftë dhe një shumicë PD-PS, nuk duhet lejuar të cenojë demokracinë, nuk duhet lejuar të ndrydhë lirinë individuale dhe politike të askujt. Më kujtohet koha kur disa deputetë hynë në një grevë urie në sallën e Parlamentit, para zgjedhjeve të 2009-s, për të kundërshtuar Kodin Elektoral të PD-PS. Kodi u kundërshtua mbi parime demokratike dhe në mënyrë demokratike me grevë urie, pavarësisht se ndonjë ambasadori nuk i pëlqeu në atë kohë. Unë isha zëdhënës i asaj greve dhe meqë isha i vetmi që kisha lirinë të dilja nga salla e grevës, e shfrytëzoja kohën të loboja për mbështetje të kauzës së grevistëve. Arrita të bindja ambasadorin e OSBE, z. Bosch, të fliste publikisht në mbështetje të parimeve të grevës, meqenëse ai besonte se kërkesat tona ishin ato që kishte kërkuar OSBE-ja në raportin e saj pas zgjedhjeve të 2007-s. Ambasadori i OSBE-së foli në parim pro kërkesave të grevistëve dhe kundër kontrollit të administrimit të zgjedhjeve nga dy forca politike, por pas 2 orëve, nga presioni i disa ambasadorëve të tjerë, OSBE-ja në Tiranë nxori zëdhënësin e saj për të kundërshtuar ambasadorin e saj në Tiranë. Ky ishte zhgënjimi më i madh që unë kam pësuar ndonjëherë nga Europa demokratike. Europa vendosi kundër parimeve që ajo vetë na ka mësuar, vetëm sepse asaj nuk i pëlqeu metoda e protestës tonë, pra greva në Parlament. Unë nuk besoj se dikush do të bëjë përsëri grevë në Parlament për të ngritur zërin për ligjin zgjedhor të pakorrigjuar, me mungesë të theksuar demokracie. Pavarësisht nëse dikush do të protestojë apo jo, problemi mbetet po aq i madh. Në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhe të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, Kodi Zgjedhor nuk garanton garë të ndershme dhe votë të barabartë. Deri sa të garantohet kjo, deri sa të realizohet kjo, nuk besoj se Shqipëria do fitojë ndonjëherë statusin e vendit kandidat në BE. Partia Socialiste është bashkëfajtore me PD-në për situatën politike që kemi sot në vend. Por PS-ja e ka kuptuar gabimin e saj dhe kërkon të bëjë transparencë të zgjedhjeve të kaluara. Pas transparencës, PS-ja kërkon të punojë për reformën zgjedhore dhe kodin e ri zgjedhor. Ky qëndrim i PS-së është pak dritë në tunelin e gjatë të rivendosjes së drejtësisë dhe demokracisë në zgjedhje. Pa transparencën e zgjedhjeve, pa reformën e duhur zgjedhore, unë nuk shoh ndonjë të ardhme më të mirë për shqiptarët. Do vazhdojmë të endemi nga një e keqe e madhe tek një e keqe më e vogël, por pa pasur mundësi të zgjedhim më të mirën.

KOMENTE