Tiranë, 24 nëntor, NOA – Demokristianët Italianë të drejtuar nga Pier Ferdinando Casini kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të krizës së tejzgjatur politike në Shqipëri, falë respektimit të kërkesave të opozitës për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit të shkuar, kontestimi i të cilave po mban peng konfliktin mazhorancë-opozitë.
Përmes një njoftimi të partisë Demokristiane shqiptare, një nga partitë aleate me Partinë Socialiste, deklarohet se Grupi i eurodeputetëve Demokristianë italianë do të kërkojë tek Grupi i Partive Popullore Europiane (PPE), të drejtuara nga Joseph Daul, një vëmendje më të madhe mbi krizën politike në Shqipëri, duke e para atë nga këndvështrimi i mohimit të të drejtave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve dhe hetimin e tyre përmes materialeve zgjedhore.
Unioni Demokristian Italian, UDC me President Pier Ferdinando Casini ka mbajtur një deklaratë mbështetëse në Parlamentin Evropian për forcat opozitare në Shqipëri, duke i cilësuar ato si forca progresiste.
Unioni Demokristian Italian, UDC me President Pier Ferdinando Casinin i kanë bërë ftesë kryetarit të demokristianëve të Shqipërisë, Nard Ndoka, që ky i fundit të marrë pjesë në mbledhjen e radhës, për të shprehur qëndrimet e tij mbi krizën politike në Shqipëri të shkaktuar nga vjedhja e votave sipas opozitës dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë.
Demokristianët italianë, do të mbajnë një deklaratë mbështetëse në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Italian.
Kreu i partisë demokristiane, Ndoka e kishte informuar unionin italian mbi situatën politike në Shqipëri, ku i kërkoi mbështetjen e tyre për të arritur një zgjidhje.
PDK, ka falenderuar sakaq Grupin e Unionit të Qendrës së Parlamentit të Lombardisë dhe kryetarin e këtij grupi, Gianmarco Quadrini, për mbështetjen dhe solidaritetin me përpjekjet e opozitës për sundimin e ligjit, drejtësisë dhe kthimin e normalitetit demokratik në Shqipëri.
Në deklaratën e 23 nëntorit të firmosur nga Quadrini shprehet shqetësimi i thellë për krizën politike në Shqipëri, paralizimin e institucioneve, në veçanti të atyre të drejtësise, mosfunksionimin e parlamentit, krizë që është shkaktuar nga manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit.
mit/NOA