Korçë, 24 nëntor, NOA – Prokuroria e Korçës ka përfunduar sot hetimet për çështjen e dhunimit të varreve të të parëve në fshatin Boboshticë të Korçës, si pasojë e ndërtimit të një platforme mes parcelave të varreve, platformë që të çonte tek memoriali kushtuar dy ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke.
Prokuroria e Korçës pas hetimeve të kryera ka akuzuar për ndërtimin e paligjshëm mbi varret e Boboshticës kryetarin e shoqatës OMONIA të Korçës, Naum Disho, punëtorit të paguar që e ngriti platformën për llogari të OMONIA-s, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçen.
Falë hetimeve të prokurorisë u provua se në tetor të këtij viti në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës, të pandehurit, kanë kryer punime të paligjshme, duke mos marrë lejen e ndërtimit nga organet kompetente në varrezat e vjetra të këtij fshati, të cilat ndodhen brenda territorit të Kishës së Shën-Marisë në këtë fshat.
Nga kryerja e këtyre punimeve dhe konkretisht nga hedhja e një sasie prej 58 m2 beton në pjesën ku ndodhet një kryq betoni, duke zgjeruar bazamentin e këtij kryqi, duke krijuar një rrugicë midis këtij kryqi dhe vendit ku është kambana.
Nga ndërtimi i shkallëve, janë dhunuar disa prej varreve të këtij fshatit, të cilat janë gërmuar dhe më pas janë mbuluar nga betoni.
Tashmë çështja ndaj të pandehurve Naum Disho, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçes, të cilët akuzohen për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm të kryer në bashkëpunim dhe dhunimit të varreve i kaloi për gjykim Gjykatës së Korçës.
mit/NOA