Finalizohet me sekuestrim të një sasie prej 50 kg lëndë narkotike dhe arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve
Durrës, 24 Nëntor 2010 NOA - Struktura Kundër Krimit të Organizuar Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Durrës dhe e mbështetur nga shërbime të strukturës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, pas një pune intensive hetimore rezultoi e suksesshme në finalizimin e operacionit policor “Fundvjeshtë 2010”.
Në kuadër të këtij operacioni, në orën 14.50 të ditës së sotme, në afërsi të vendit të quajtur Ura e Gjolës Fushë Krujë, u bë i mundur bllokimi i dy automjeteve, brenda të cilëve u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 kg lëndë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis Sativa, e vendosur në 5 thasë, me paketime në sasi më të vogla brenda çdonjërit prej tyre.
Lidhur me sa më sipër u bë arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve si më poshtë:
1-Islam Fadil Sefa, 25 vjec, banues në Krujë.
2-Kujtim Ahmet Rryçi, 39 vjec, banues në Mafsheq Krujë.
3-Lindita Pjetër Topalli, 43 vjeçe, banuese në rrethin e Kurbinit.
4- Deli Hysen Lika, 51 vjec, banues në Malbardhë Kurbin.
Po kështu, u bllokuan në cilësinë e provës materiale:
-2 autovetura tip Benz me targa LA 8842 A dhe TR 4790 K
-1 armë gjahu, tip Shotgun dhe një gjerdan me 30 copë fishekë.
-5 aparate telefonash celularë
Drejtori i Policisë së Durrësit, Drejtues Aleks Hajdari, konfirmoi për agjencinë NOA se është në proçes e sipër kryerja e veprimeve të para hetimore.
Ai sqaroi se po punohet nga ana jonë në drejtim të identifikimit të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale si dhe kontrollin e ambienteve të dyshimta për ushtrim të kësaj aktivitet.
Sakaq, materialet proceduriale për veprat penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjahut iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
e.r/NOA