English

Koment - Betonizimi i së ardhmes

Kjo është Tirana jonë, Tirana e kontradiktës, ku duhet t’i themi faleminderit vetëm biznesit privat që ka menduar në disa raste për ndonjë oborr apo pemë në ndonjë lokal ku fëmijët tanë, mes duhanit e zhurmës, të mund të njihen nga afër me ngjyrën e gjelbër. Në turbullirën e kësaj bashkie të madhe është “betonuar” çdo gjë, por jo formimi i fëmijëve tanë...

Nga Juela Meçani

Në një ditë me 24 orë, të gjithë mundohemi të organizojmë dhe të skematizojmë rutinën, me shpresën që të mund të realizojmë planet tona e në fund të ditës të largohemi disi nga stresi. Dhe është kjo normale, ndërtohet kështu dita, java, muaji e viti. E me kalimin e pashmangshëm të kohës, vetëm pas disa vitesh dallojmë ose na dallojnë nëse kemi ndryshuar, si dhe sa jemi rritur dhe sa ka ndikuar tek ne rutina e 24 orëve dhe organizimi i saj.

Flasim çdo ditë në këto 24 orë për mirëqenie, shkollim, zhvillim, pasurim por në fund të fundit ajo që i vendos rezultanten përpjekjeve të gjithësecilit është se si janë rritur fëmijët tanë.

Fëmijët tanë janë pasqyra e shoqërisë, janë ata që nesër do kujdesen ose jo për ne, do zgjedhin Tiranën, Milanon apo Londrën, ata që do jenë inovatorë ose që do ruajnë traditat. Fëmijët tanë janë në fakt mbrojtësit e rrënjëve tona e në këto 24 orë nuk duhet të rreshtim së pyeturi veten se si po rriten ata.

Ne prindërit por edhe e gjithë shoqëria shqiptare është e ndërgjegjshme se fëmijët tanë kanë sot fatin të kenë shumë më tepër se brezat që shkuan. Por në themelet e asaj që do jenë në të ardhmen, për fëmijët e kryeqytetit, kërthizës së kombit, mungon një detaj shumë i rëndësishëm. Ata janë fëmijë “betoni”, fëmijë “apartamentesh” e kjo ndikon shumë më tepër se sa ne shpesh e mendojmë, në brumosjen e tyre.

Dita me 24 orë e një fëmije të kryeqytetit nis me lajme e beton e përfundon në beton, brenda katër mureve të shtëpisë, brenda mureve të kopshtit a shkollës, e kur gjejmë pak kohë, vërtik e duke parë orën, brenda mureve të ndonjë bari me lodra ose në kurse pa fund baleti, gjuhësh të huaja, patinazhi apo tjetër.

Por e dimë qartësisht se një orë TV nuk është barazim me një orë në natyrë. Të gjitha vlejnë, janë pjesë e zgjedhjes tonë si prindër e mund të pasurohen me detaje fundjavash në Durrës apo në rrethinat e Tiranës, kur je me fat të kesh një mjet motorik e të ardhura të mira dhe kur koha ta lejon. Por po flas për Tiranën, është një kryeqytet i madh e ku jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi. Tiranën që na merr çdo ditë kohë e na injekton doza stresi në trafikun e çmendur, që dhe me diell e dhe pa diell, nuk e ke fatin të zgjohesh e të dallosh qiellin nga kullat e betoni, ku në një distancë këmbësorësh të shkurtër, nuk e ke kurrë atë fat të ecësh krejt mbi rrugë të shtruar, ku parkimet e dyfishta e të trefishta ta bëjnë të pamundur të kalosh rrugën, ku pastërtia e rrugëve lë shumë për të dëshiruar, ku ndërsa ecën të ndodh shpesh që të ndihmosh nënat me karroca ose persona me aftësi të kufizuar për të kapërcyer trotuaret, sepse nuk janë menduar vende për ta.

Kjo është Tirana jonë, Tirana e kontradiktës, ku duhet t’i themi faleminderit vetëm biznesit privat që ka menduar në disa raste për ndonjë oborr apo pemë në ndonjë lokal ku fëmijët tanë, mes duhanit e zhurmës, të mund të njihen nga afër me ngjyrën e gjelbër. Në turbullirën e kësaj bashkie të madhe është “betonuar” çdo gjë, por jo formimi i fëmijëve tanë. Me shumë fodullëk e papërgjegjshmëri të rrezikshme, pa na pyetur, pa na dhënë shpjegime, madje pa folur fare, është vendosur për një pjesë të rëndësishme të jetës së fëmijëve tanë. Është fshirë kontakti i tyre me natyrën, në qytetin që duan e ku kanë lindur, e mbi të cilin do të ruajnë memorien e fëmijërisë, aq themelore për krijimin e identitetit të një të rrituri më pas.

Dëgjoj e lexoj që madje ka dhe zëra që e mbrojnë kryebashkiakun, i ka ndërruar faqen Tiranës, thonë. Nuk e di në fakt a ka faqe Tirana e sotme, në cilin model ajo futet, a ka në fakt një model evropian pa parqe, pa sheshe, pa lodra për fëmijët, pa shatërvanë e kënde pushimi, pa kopshte botanikë e zoologjikë si duhet, pa qendra të zhvillimit e argëtimit të fëmijëve të krijuar e ndërtuar nga bashkia? Nëse ka e meqenëse këtë model “brilant” zoti Kryebashkiak dhe enturazhi i tij e mbron kaq shumë, pse nuk zgjedh një ditë në javë, jo të premten, kë të dojë, edhe të dielën vlen, e të zhvillojë një tryezë me mediat edhe për këtë? Apo ndoshta druhet se nuk do dijë si ti përgjigjet qytetarëve të Tiranës, se përse nuk kanë fëmijët tanë parqe ku të luajnë, të takohen, të njihen, të ajrosen, pse jo të vrasin pak gjurin si ne dikur? Ndërkohë që vitet ikin, Tiranës i kafshohen zona të tëra ku rrinte e varur shpresa jonë prindërore dhe përsëri e përsëri ai që duhet të japë llogari për këtë hesht, anashkalon, bën të verbrin. Ende mendon se mund të trullosë disi qytetarët duke bërë ndonjë inagurim të stisur apo duke u ulur me fëmijët gju më gju në ndonjë kopsht, por kur ata i kërkojnë se pse kësulëkuqja nuk ka pyll ku të ecë, se përse mami mërzitet të dielën që pa gdhirë sepse nuk di se ku të shëtisë fëmijët, kryebashkiaku kalon në retushim, në montazh. Qep e shqep arkivin e tij personal me kosha basketbolli, e ndonjë minipark me lodra, që sot, zoti kryebashkiak, po ta vizitonte sërish, do e gjente të ndryshkur, të shqyer madje të rrezikshëm për fëmijët tanë.

Si mund të pretendojmë që ta shohë të ardhmen e fëmijëve tanë një njeri që ka vënë gjyslykët prej betoni e duralumini? Dikush si ai që nuk njeh dhe respekton institucionin e llogaridhënies, obligim për një kryebashkiak, a mund ta kuptojë dot se të paktën për fëmijët tanë, ka detyrim të flasë? Duket qartësisht që jo.

Por është dhe obligim për ne si qytetarë dhe prindër që betonizimin e së tashmes dhe të ardhmes së fëmijëve tanë ta quajmë hapur një krim, që do i kushtojë të gjithë shoqërisë. Kryebashkiaku ynë i ka vënë një çmim mirëqenies së fëmijëve tanë, siç i ka vënë një çmim të gjithë karrierës së tij. Papërgjegjshmëria e tij nuk duhet të kthehet në papërgjegjshmërinë tonë, sepse nesër do jetë tepër vonë.

KOMENTE