Tiranë, 24 nëntor, NOA Update – Pohimi i kryebashkiakut Edi Rama se fajin për trafikun e rënduar në Tiranë e paska qeveria, ishte një nga deklaratat më të rënda që përmbante përçmim dhe ofendim ndaj qytetarëve shqiptarë.
Kështu ka deklaruar ndër të tjera në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha, duke shtuar se Rama i ka të gjitha shanset për rikuperimin e punës, pasi qeveria ia ka disa-fishuar fondet Bashkisë së Tiranës. “Në mesataren e tyre, financimet e qeverisjes vendore janë 6-fishuar”, tha më pas ai.
“Ne në axhendë kemi qytetarin me të gjitha problematikat e tij”, shtoi kreu i qeverisë.
Duke theksuar se vetëm për ndërtimin e shkollave, Bashkia e Tiranës ka marrë nga buxheti i qeverisë 20 milionë euro, por nuk i ka ndërtuar.
“Paratë janë bërë rroga jashtë çdo morali. Ç’faj ka qeveria që ai i merr lekët dhe i bën rrush e kumbulla?”, tha ai, duke shtuar se kryebashkiaku ka 3-fishuar personelin e Bashkisë së Tiranës, me moralin e Partisë së Punës.
“Vetëm policë bashkiakë, shkëlqesia e tij ka 380. Ku ishin ata ditën e trafikut, apo ruajnë rezidencën në Pezë dhe atë në Tiranë?”, shtroi pyetje Berisha.
n.e/NOA