Tiranë, 24 nëntor, NOA – Ndërsa parashtroi mocionin me debat të kërkuar nga opozita për opinionin negativ të Komisionit Evropian mbi statusin e vendit kandidat, shefi i opozitës, Edi Rama deklaroi para pak minutash se “Ne prej shumë muajsh i kemi nxjerrë fletët e votimit nga procesi hetimor duke kërkuar, që ato të shqyrtohen veçmas nga Komisioni i Venecias”.
“Ky hetim është i plotë për ne edhe vetëm me hetimin e kutive të materialeve zgjedhore”, tha Rama.
Ai risolli në vëmendje transparencën e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdije, katër vjet më parë, duke theksuar se çështjet teknike nuk mund të bllokojnë transparencën e zgjedhjeve, një e drejtë e zgjedhësve shqiptare.
Rama theksoi se në mocionin me debat kërkohet edhe heqja e kushtëzimit, që hetimi të ndjekë edhe rrugën drejt Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta tha Rama qëndron mbi kodin zgjedhor, andaj tha ai “ka një nen në kodin zgjedhor, por ka edhe një kushtetutë që mishëron të drejtën e popullit për transparencë”, tha shefi i opozitës.
Më tej i pyetur nga gazetarët, kryetari i PS-së, nënvizoi se në mocioni i opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli është veçmas këtij mocioni me debat, që është sikundër tha Rama një përpjekje për të vënë në lëvizje shtetin e të drejtës dhe funksionimin e parlamentit.
Në këtë kontekst ai tha se “është shumë më i rëndësishëm mocioni me debat për opinionin e KE-së dhe zgjidhjen e krizës sesa, një mocion për shkarkim, që asgjë nuk e pengon më”. Vijon..
mit/NOA