Tiranë, 24 nëntor, NOA - Në Tiranë ndodhet zëvendëssekretarja e përgjithshme e Këshillit të Europës, Maud de Boer-Buquicchio. Ajo ishte pjesëmarrëse dhe në një konferencë mbi zbatimin e Strategjisë Antikorrupsion dhe Planit të Veprimit 2010.
Në një intervistë për “Deutsche Welle” ajo është shprehur se “problematike për KE është funksionimi i gjyqësorit. Gjithashtu mbetet një çështje problematike ajo që lidhet me pronat. Ashtu siç janë dhe rryshfetet në sektorin e shëndetësisë. Këto shqetësime dhe të tjera ne i kemi në qëndër të monitorimit dhe vlerësimin e bëjmë nisur vetëm nga rezultatet konkrete dhe jo nga premtimet apo angazhimet në letër”.
Zonja Maud de Boer –Buquicchio, cilat janë disa nga angazhimet konkrete të Projektit kundër Korrupsionit në Shqipëri, ose siç thirret PACA, që ka nisur nga shtatori i vitit të kaluar?
Këshilli i Europës është duke punuar me Shqipërinë në çështjet që lidhen me korrupsionin prej një kohe të gjatë. Në këtë aspekt kemi një bashkëpunim qysh nga periudha kur vendi u anëtarësua në KE 15 vite më parë. Shqipëria është anëtare e GRECO-s, që është grupi i shteteve kundër korrupsionit, një iniciativë e Këshillit të Europës nga viti 1999. Përfshirja e Shqipërisë ka në thelb ratifikimin nga ajo të dy instrumenteve shumë të rëndësishëm të Këshillit të Europës për antikorrupsionin, që kanë lidhje me fushën civile dhe më atë kriminale. GRECO në vijim ka bërë një sërë rekomandimesh për Shqipërinë në mënyrë që ajo të përmirësojë rezultatet në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. E bëra këtë hyrje për të shpjeguar se një vit që ka kaluar që kur ka nisur PACA nuk mund të merret i shkëputur nga një proces i tërë vëzhgimesh dhe propozimesh për të forcuar dhe zgjeruar kapacitetet e nevojshme antikorrupsion në Shqipëri. Për krijimin e një kornize të dobishme ligjore, që i mbështet këto objektiva në harmoni me rekomandimet e GRECO-s. Një fushë specifike e projektit tonë është parandalimi i korrupsionit në sektorin e arsimit, për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe pjesmarrjen në sistemin arsimor.
Nisur nga raporti më i fundit që ka publikuar Transparency International, apo nga analiza të institucioneve të tjera vihet re se kritikat për prezencën e korrupsionit vijojnë. Në thelb flitet për disa hapa përmirësues në ndonjë sektor, por përmenden dhe mjaft të tjerë ku korrupsioni në perceptimin e publikut shqiptar mbetet në nivel të lartë. E keni dhe ju këtë vlerësim?
Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian kanë indentifikuar në të vërtetë fusha të cilat janë problematike. Unë do të thoja se më problematike për ne është funksionimi i gjyqësorit. Gjithashtu mbetet një çështje problematike ajo që lidhet me pronat. Ashtu siç janë dhe rryshfetet në sektorin e shëndetësisë. Këto shqetësime dhe të tjera ne i kemi në qëndër të monitorimit dhe vlerësimin e bëjmë nisur vetëm nga rezultatet konkrete dhe jo nga premtimet apo angazhimet në letër.
Veç Shqipërisë korrupsioni është prezent ku më pak e ku më shumë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Projektet dhe programet tuaja a kanë një natyre rajonale përballë këtij fenomeni?
Këshilli i Europës nuk e ka parë kurrë këtë çështje si një ushtrim krahasues. Në mënyrë të qartë korrupsioni nuk ekziston vetëm në Shqipëri. Ne jemi këtu që të diskutojmë me autoritetet shqiptare nisur dhe nga nënvizimi që i bëhet këtij fenomeni nga raporti i progresit më i fundit i Komisionit Europian. Është një rast që të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për ta përmirësuar gjëndjen. Por ama këtë gjë bëjmë dhe me vendet e tjera të rajonit. Këshilli i Europës e ka një prej prioriteteve të tij mbështetjen e vendeve anëtare në luftën kundër korrupsionit. Por veç kësaj asistence, që nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë as në të ardhmen ka dhe një instrument shumë të rëndësishëm: bashkëpunimin mes vetë vendeve të rajonit në luftën kundër korrupsionit. Ka eksperienca pozitive që mund të shkëmbehen mes tyre, ashtu siç bashkëpunohet dhe në parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, kontrabandës, trafiqeve etj.
Kohë më parë Këshilli i Europës i ka apeluar klasës politike shqiptare që të rinisë dialogun dhe të bashkëpunojë për reformat thelbësore. Në mënyrë sistematike këtë e ka bërë dhe Komisioni Europian apo organizma të tjera ndërkombëtarë, por në fakt ngërçi politik vijon prej rreth një viti e gjysëm. Si e komentoni ju këtë?
Problemi është që institucionet demokratike, që janë esenciale në funksionimin e vendit, nuk punojnë. Sepse gjërat kanë ngecur në parlament. Është një gjendje për të ardhur shumë keq, pasi është jetike që reformat duhet të vijojnë. Dhe unë si zëvëndës sekretare e përgjithshme e Këshillit të Europës apeloj për sens përgjegjësie për maturi politike për cilindo, për të qenë të sigurtë se procesi, që ka nisur duhet të vazhdojë dhe të ketë një rezultat si finale. Sepse është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të fuksionojë si një vend që respekton ligjin dhe demokracinë. Por ju nuk mund ta bëni këtë me një parlament që nuk merr dor vendime. Unë e kam shprehur dhe jam e shqetësuar për këtë.
Deutsche Welle