English

Na duhet një NATO për shekullin e XXI-të

Kur forca ndërkombëtare ISAF të largohet nga Afganistani në vitin 2014-siç u arrit pajtimi në samitin e NATO-s, që u zhvillua javën e kaluar-ushtarët e NATO-s do të kthehen në shtëpi, duke dëshmuar-nëse asgjë tjetër-se aleanca perëndimore ushtarake ekziston ende. Historianët në të ardhmen nuk do ta cilësojnë si sukses të padiskutuar misionin e NATO-s në Afganistan

Nga Anne Applebaum

Para disa viteve në Afganistan, fluturova në një aeroplan me një pilot portugez, e më pas në një aeroplan tjetër, me një pilot gjerman. U takova me dy turq, të cilët punonin në selinë qendrore të NATO-s në Kabul dhe me një femër holandeze, e cila jetonte në një bazë të NATO-s në jug.

Gjatë kësaj vizite u takova edhe me francezë, çekë, e natyrisht edhe me amerikanë. Kur forca ndërkombëtare ISAF të largohet nga Afganistani në vitin 2014-siç u arrit pajtimi në samitin e NATO-s, që u zhvillua javën e kaluar-ushtarët e NATO-s do të kthehen në shtëpi, duke dëshmuar-nëse asgjë tjetër-se aleanca perëndimore ushtarake ekziston ende. Historianët në të ardhmen nuk do ta cilësojnë si sukses të padiskutuar misionin e NATO-s në Afganistan. NATO-ja nuk ishte e përgatitur të luftonte në Afganistan, fillimisht nuk kishte udhëheqje, çfarë u shoqërua dhe me mungesën e objektivave të qarta. Disa vende kontribuuan me një numër të madh ushtarësh dhe luftuan. Kishte dhe të tjerë të cilët fshiheshin pas vendimeve të shteteve përkatëse, që përcaktonin kur dhe si duhet të luftonin ushtarët e tyre. Thuajse të gjitha qeveritë e vendeve të Aleancës mënjanuan një diskutim të ndershëm e të hapur me votuesit e tyre rreth luftës në Afganistan. Me fjalë tjera, NATO-ja nuk dështoi, por as nuk shkëlqeu. Për të shpëtuar nderin e Aleancës, e ndoshta dhe vetë Aleancën, ushtarët duhet të kthehen në shtëpi e të planifikojnë misionin tjetër. Ky mision është mbrojtja e demokracisë në Evropë. Ky ka qenë dhe qëllimi i themelimit të NATO-s. Ndonëse NATO-ja është zmadhuar thuajse shtatë herë krahasuar me vitin 1949, kur u krijua, shpërndarja e trupave të NATO-s dhe institucionet e saj nuk kanë ndryshuar në dy dekadat e fundit. Aleanca ka sot 28 vende anëtare, përfshirë dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të Paktit të Varshavës. Me gjithë ndryshimet, tri komanda të përbashkëta gjenden ende në jug dhe në perëndim të kontinentit, përkatësisht në Portugali, në Itali dhe në Holandë. Edhe forcat amerikane nuk janë më mirë të shpërndara. Mbi 50 mijë ushtarë amerikanë gjenden në Gjermani, vend ky tashmë i rrethuar nga vende anëtare të NATO-s, kurse Polonia e Norvegjia - dy shtetet që kanë kufirin më të gjatë që kufizohet me vende jo anëtare të Aleancës, kanë 100 respektivisht 80 ushtarë. Aleanca gjithashtu mund të rifreskojë planet e veta ushtarake për epokën e re. Evropianët dhe amerikanët tashmë po bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit dhe me të drejtë e kanë përfshirë terrorizmin kibernetik në listën e armiqve të tyre të përbashkët. NATO-ja nuk ka plane paraprake për të mbrojtur disa nga vendet më të reja anëtare si Poloninë dhe vendet baltike. Aleanca, gjithashtu, nuk ka zhvilluar stërvitje të rëndësishme ushtarake për më shumë se një dekadë. Një herë e një kohë NATO-ja zhvillonte ushtrimet vjetore të quajtura “Reforger”. Në kohët e shkuara këto lloj ushtrimesh synonin të trembnin Rusinë. Sot, këto lloj stërvitjesh duhet të mbahen sërish, por padyshim jo për të trembur Rusinë. Qëllimi duhet të jetë që strukturat e NATO-s të mbeten të integruara, që gjeneralët amerikanë të njohin homologët e tyre evropianë dhe anasjelltas-dhe me qëllim që anëtarët e NATO-s dhe fqinjët e tyre të vazhdojnë të besojnë se aleanca është e vërtetë. . Stërvitje në terren dhe në internet për t’u mbrojtur nga sulmet elektronike duhen zhvilluar, e, madje, në disa prej e tyre, në një të ardhme, mund të përfshihet dhe Rusia. Një ditë ndoshta Aleanca mund ta shohë veten duke ndihmuar Rusinë të mbrohet nga Kina. Zgjerimi i NATO-s edhe me disa nga ish-armiqtë e vjetër, është një nga pak historitë e suksesit në politikën e jashtme pas Luftës së Ftohtë. Ne mund ta vazhdojmë procesin e zgjerimit, ndonëse vendet jashtë NATO-s sot janë më të varfra dhe më të trazuara se vendet që donin të hynin në Aleancë në vitet 90-ta. Megjithatë, ekzistenca e një aleance të besueshme ushtarake të perëndimit mbetet një nxitje për të tjerët në kufijtë e Evropës. Momentalisht në Moldavi ka një qeveri pro perëndimore, në Bjellorusi mbahen zgjedhjet në dhjetor, e gjeopolitika haset ngado në Ukrainë. Ndonëse Perëndimi mund të tregohet idhnak me veten për evropianët jashtë kufijve të NATO-s, ai mbetet sërish tërheqës. Por, perëndimi do të mbetet i tillë vetëm nëse është real.

“The Washington Post”

KOMENTE