English

Operacion sekret dhe masa të rrepta sigurie, ekstradohet në SHBA Almir Rrapo

Tiranë, 24 nëntor, NOA – Odiseja gjyqësore në Shqipëri për ish-punonjësin e Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo ka marrë fund. Rrapo është ekstraduar mëngjesin e sotëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të gjykohet nga drejtësia amerikane për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Nën masa të rrepta siguria autoritetet shqiptare kanë bërë shoqërimin e tij duke ua dorëzuar autoriteteve amerikane.

Burime për Agjencinë e lajmeve NOA thanë se operacioni për ekstradimin e tij është mbajtur sekret nga policia dhe shoqërimi i tij për në aeroportin e Rinasit është bërë nën masa të rrepta sigurie.

Nisja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bërë mëngjesin e sotëm. Rrapo është nisur i shoqëruar nga agjentët e policisë me një linjë civile avioni.

Ndërkohë që avokati i Almir Rrapos ka kërkuar pak ditë më parë ndalimin e ekstradimit drejt SHBA-ve, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

Pas njoftimit për ekstradimin e tij ka reaguar dhe avokati Ardian Visha. Ai ka thënë se depërtimi i tij në SHBA është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi duhej që më parë për këtë çështje të shprehej Gjykata e Strazburgut.

a.k/NOA

KOMENTE