English

Policia: Shpërthimi i makinës sot te Rruga e Elbasanit, një atentat i pastër

Tiranë, 24 nëntor, NOA Update/ Eglantina Nasi – Ngjarja e rëndë që ndodhi sot rreth orës 08.45’ në rrugën e Elbasanit, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ku një makinë ka shpërthyer gjatë ecjes, mund të ketë si shkak i vendosjes se një eksplozivi brenda saj, duke përbërë kështu një atentat të pastër.

Ky është konfirmimi zyrtar që kanë dhënë forcat policore të Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se automjeti që ka shpërthyer ka qenë i tipit Mitsubishi me targë TR. 2029 T, ndërsa drejtuesi i tij është 34-vjeçari Admir Sulaj, lindur dhe banues në Tiranë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi i posaçëm hetimor, ekspertë të Njësisë së specializuar anti-eksploziv, si edhe oficerë të hetimit të krimit të cilët aktualisht janë duke kryer ekzaminime dhe ekspertime për këtë ngjarje.

Paraprakisht nga grupi hetimor dyshohet se automjeti tip Mitsubishi, ka shpërthyer në pjesën e përparme si pasojë e vendosjes së një sasie lënde eksplozive, duke plagosur drejtuesin Admir Sulaj, i cili u dërgua menjëherë në spital ku aktualisht po merr ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e prokurorit dhe nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës, po kryejnë ekzaminimet, hetimet dhe veprimet e para hetimore e proçeduriale me synim zbardhjen e rrethanave të këtij shpërthimi.

Për çdo ecuri të zhvillimit të hetimit të kësaj ngjarje apo në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, policia bën me dijeni se do të informojë në vijimësi.

n.e/NOA

KOMENTE