English

Pretenca në Gjykatën e Tiranës: Tre muaj burg për Rezart Taçin

Tiranë, 24 Nëntor 2010 NOA Rid Bulku - Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot shpalljen fajtor dhe dënimin me nga 3 muaj burgim, biznesmenin Rezart Taçi, si dhe dy truprojat e tij, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo.

Prokurori i çështjes, Gjergji Tako gjatë konkluzioneve të tij i bëri me dije trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo, se tre të pandehurit janë fajtor për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”, ndaj gazetarit Mero Baze.

Në seancën e radhës pritet që mbrojtësit të japin konkluzionet e saj përfundimtare, ndërsa gjykata të japë vendimin përfundimtar.

Ngjarja për të cilën akuzohet presidenti i kompanisë “Taçi Oil” ka ndodhur më 2 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria e Tiranës, pas një debati me gazetarin Mero Baze, tre agresorët e sulmuan atë të fundit duke e goditur me sende të forta.

Ngjarja sipas akuzës ka ndodhur rreth orës 23:10 minuta, në kohën që Baze kishte vetëm 15 minuta që kishte mbërritur dhe po priste ushqimin e porositur, ndaj tij kanë ardhur një sërë sharjesh dhe ofendime nga biznesmeni Rezart Taçi.

Ky i fundit ishte drejtuar drejt tavolinës ku ishin gazetarët Andi Bushati, Arben Hasani dhe Mero Baze, për të sqaruar ofendimet e ndërsjella mes tyre.

Ndërkohë, ndaj gazetarit Baze janë vërsulur me gjithë forcën e tyre dy shoqëruesit e biznesmenit Taçi duke e qëlluar me grushte për të cilat ka marrë edhe mjekimet e nevojshme.

Më vonë kanë ndërhyrë Andi Bushati dhe Arben Hasani, por pa mundur ta neutralizojnë sulmin.

Pas këtij momenti të pandehurit Rezart Taçi së bashku me të pandehurit Irgen Selfo dhe Bledar Lilo janë larguar.

r.b/NOA

KOMENTE