English

Shoqatat e Grave letër Ina Ramës: Thyeni heshtjen për Irena Selin dhe Enrieta Avdylin

Tiranë, 24 nëntor, NOA - Një grup i shoqatave të grave në vend, i ka dërguar sot një letër të hapur Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, me kërkesën për rinisjen e hetimit të vrasjes së Irena Selit dhe Enrieta Avdylit.

“Kur ju u emëruat prokurore, ne kishim shumë shpresa, që si grua, si nënë, s’do të ndaleshit para çdo pengese, derisa të zbulonit e të dënonit kriminelët, që morën jetën e vajzave tona. Jemi gabuar? Mendoni se mund të dorëzohemi? Jo! Deri sa e vërteta të dalë në shesh, pavarësisht kush e pengon atë. Po zgjedhim këtë letër të hapur, si formën më të mirë të një komunikimi të hapur, për një çështje që gjithashtu është as e hapur, as e mbyllur”, nis letra.

Duke shtuar se bëhet fjalë për një çështje, e cila i kalon interesat individuale apo të një grupi të caktuar dhe shtrihet shumë më gjerë se kaq.

“Është një çështje, që i përket gjithë komunitetit, gjithë shoqërisë sonë, ndaj është kjo arsyeja, për të cilën vendosëm të komunikojmë me ju, në mënyrë mediatike dhe jo në mënyrë private”, shtojnë familjarët.

Duke përfunduar se “duke qenë të bindur se përmasat e çështjes në fjalë janë shumë më të mëdha se heshtja e nga ana tjetër duke patur një përvojë të hidhur tashmë, që kërkesave zyrtare të bëra nga ne e të tjerë njerëz të interesuar ngushtësisht në këtë rast, nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje, bëmë këtë zgjedhje, për të cilën besojmë se do të kemi mirëkuptimin e kryeprokurores”.

“Nëse do ktheheshim disa vite më parë, (sigurisht atëherë ju nuk keni qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme) jemi të bindur, që të gjithë e kujtojnë emrin e Erieta Avdylit dhe Irena Selit dhe sagën që shoqëroi vrasjen dhe zhdukjen e tyre. Për një kohë të gjatë do të shkruanin gazetat, për një kohë të gjatë televizionet do të hapnin edicionet kryesore me këto lajme. Dhe për një kohë të gjatë, avokatë, gjykatës e prokurorë do të flisnin për këto çështje.

Por tani, kur të gjithë këto institucione apo njerëz, që u morën me keto çështje janë lodhur, dikush tjetër vazhdon të kërkojë përgjegjësit e zhdukjes së Erieta Avdylit dhe Irena Selit dhe të mësojë të vërtetën e saj. Jemi ne, familjarët e saj zonja Rama, ata njerëz, të cilët ua ndiejnë mungesën çdo ditë , që vazhdojnë ta duan çdo ditë, aty ku ato janë”, përfundon letra, duke kërkuar rihapjen e hetimit të këtyre dy çështjeve.

n.e/NOA
KOMENTE