English

Topalli shfrytëzon rastin e sulmon Edi Ramën: S’pate këllqe të kërkosh shkarkimin tim

Tiranë, 24 Nëntor 2010 NOA – Kryetarja e Kuvendit, e shfrytëzoi shumë mirë rastin sot kur Partia Socialiste zhgënjeu publikun pasi pas premtimeve se do kërkonte shkarkimin e Topallit në Kuvend, shtroi sot vetëm një kërkesë mocioni për debat.

Në një dalje për mediat para pak çastesh, zonja Jozefina Topalli i tha Edi Ramës publikisht se ishte e zhgënjyer prej tij.

Duke i përmendur se Rama nuk ka këllqe të kërkojë mocion shkarkimi por u mjaftua vetëm tek mocioni për debat, Topalli thotë se një gjë të tillë Rama e ka provuar më parë dy herë dhe ka dështuar.

Ja deklarata e plotë e Topallit pasi në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste, dorëzoi sot kërkesën për mocion me debat për çështje të integrimit, mbështetur në nenin 98 të Rregullores:

”Si Kryetare e Kuvendit, ndjehem sërish e zhgënjyer nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, për shkak të Leprit që ka në bark, nuk mbajti premtimin për të dorëzuar në Kuvend mocionin kundër Kryetarit të Kuvendit.

Keqpërdorimi i qëllimshëm që, Edi Rama po u bën disa mediave, të cilat po e paraqesin mocionin me debat , si një mocion kundër Kryetarit të Kuvendit, ka vetëm një arsye: Edi Rama, personalisht, ka humbur me turp dy herë në mocionet e tij kundër Jozefina Topallit.

E ftoj Edi Ramën të mos vonohet më, të mos mashtrojë më qytetarët, por të dorëzojë në Kuvendin e Shqipërisë mocionin e tretë dhe të katërt po të dojë, kundër Kryetarit të Kuvendit.

Dy gjëra i garantoj Edi Ramës:

E para, siç kam bërë në çdo rast dhe në çdo kohë, do respektohet pikë për pikë ligji dhe Rregullorja e Kuvendit;

E dyta, e garantoj Edvin Ramën se do ta mundim në çdo mocion dhe në çdo sulm, që ai do të ndërmarrë kundër Kuvendit, kundër Kryetarit të tij dhe kundër çdo institucioni tjetër, që garanton sistemin demokratik në Shqipëri, - përfundon deklarata e Topallit.

e.r/.NOA

KOMENTE