Kryeministri i vendit tim foli fiks 55 minuta në foltoren e këtij parlamenti, por vetëm paraqitje buxheti nuk bëri. Asnjë fjalë për buxhetin, por vetëm për opozitën dhe liderin e saj. Zoti kryeministër, të kam vënë re në çdo cep të Shqipërisë ku shkon, ku njerëzit e vendit tonë të përbashkët presin nga kryeministri i tyre tu flasë për varfërinë, presin nga kryeministri i tyre tu flasë për papunësinë dhe ti përsëri në çdo cep të Shqipërisë ku shkon ti flet për opozitën dhe flet për Edi Ramën
Nga Gramoz Ruçi
Kryetar i Grupit Parlamentar të PSKryeministri i vendit tim foli fiks 55 minuta në foltoren e këtij parlamenti, por vetëm paraqitje buxheti nuk bëri. Asnjë fjalë për buxhetin, por vetëm për opozitën dhe liderin e saj. Zoti kryeministër, të kam vënë re në çdo cep të Shqipërisë ku shkon, ku njerëzit e vendit tonë të përbashkët presin nga kryeministri i tyre tu flasë për varfërinë, presin nga kryeministri i tyre tu flasë për papunësinë dhe ti përsëri në çdo cep të Shqipërisë ku shkon ti flet për opozitën dhe flet për Edi Ramën. Z. Kryeministër në çdo mbledhje qeverie që ju zhvilloni, qytetarët e këtij vendi presin se çfarë mbledhja e radhës së qeverisë së tyre do t’ju ofrojë. E përsëri dëgjojnë kryeministrin e tyre që flet për opozitën dhe përsëri për liderin e tyre Edi Rama.
Z.Kryeministër çdo të hënë në mbledhjen e grupit parlamentar që ti zhvillon, presin qytetarët shqiptarë që maxhoranca e këtij vendi, ç’nisma do të ndërmarrë për të plotësuar angazhimet që kanë marrë dhe që i kanë votuar. E përsëri aty dëgjoheni ju ku flisni për opozitën dhe për Edi Ramën. Në çdo ditë të enjte në parlament z.Kryeministër kur ju merrni fjalën qytetarët e këtij vendi presin sesi përcillen shqetësimet e tyre, nga të zgjedhurit e tyre. Përsëri dëgjojnë kryeministrin që flet për opozitën dhe flet për Edi Ramën, edhe sot. Qytetarët e këtij vendi presin, cila është e ardhmja e papunësisë së tyre, cila është e ardhmja e varfërisë tyre, cila është e ardhmja për arsimimin e fëmijëve të tyre, cila është e ardhmja për përmirësimin e shërbimit shëndetësor të tyre, cila është ardhmja e rritjes së mirëqenies së tyre. Përsëri sot qytetarët shqiptarë dëgjuan nga kryeministri i tyre, vetëm vrer, vrer, vrer për opozitën dhe për Edi Ramën.
Z. Kryeministër, nuk po e kuptoni që keni marrë peng integrimin e vendit, keni marrë peng qeverisjen e vendit, keni marrë peng parlamentin e vendit, kryetaren e parlamentit, ligjbërien e këtij vendi, administratën publike të këtij vendi, sistemin e drejtësisë të këtij vendi, zbatimin e ligjshmërisë të këtij vendi. Zgjedhjet e lira të lëtij vendi, z.Kryeministër. Fjalën e lirë në këtë vend, z.Kryeministër, median e lirë z. Kryeministër. Dhe në fund kërkon që të marrësh peng opozitën, kërkon që të marrësh peng edhe liderin e tyre Edi Ramën. Harrojeni. Z.Kryeministër e gjithë kjo, do të japë një këshillë miqësore. Të është kthyer në obsesion, të është kthyer në makth, të është kthyer në hije emri i Edi Ramës. Mos e përjeto kaq keq, shpejt a vonë ti do të biesh nga ai kalë që ke hipur, shpejt a vonë Edi Rama do të vij aty ku je ti. Po ti mos e përjeto kaq keq.
Ju flisni për një ekonomi të paparë në Europë dhe në botë. Kë të besojmë z.Kryeministër. Të besojmë Forumin Ekonomik Botëror që flet për vendin tonë, apo të besojmë ato që nxirrni ju nga goja. Ju flisni për një ekonomi dhe një buxhet të paparë të këtij vendi. Forumi Ekonomik Botëror flet për koeficientin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, e rendit në vendin e 88 në botë. Ju flisni për bum ekonomik në Shqipëri, Forumi Ekonomik, jo Edi Rama, jo opozita shqiptare, koeficientin e konkurrueshmërisë apo të bashkëpunimit ekonomik të Shqipërisë e rendit në vendin e 95 z.Kryeministër, në botë. Kë të besojmë, ata apo ju.
Ju flisni për turizëm, por për ç’turizëm flisni ju. Forumi Ekonomik Botëror industrinë e turizmit të Shqipërisë e rendit të 39 në Europë dhe të 90 në botë. Ju flisni për infrastrukturën e turizmit të Shqipërisë, Forumi Ekonomik Botëror e klasifikon të 104 në botë. Transporti rrugor në infrastrukturën shqiptare, Forumi Ekonomik Botëror e rendit të 104. Ju flisni për mijëra dhe miliona vizitorë, transportin ajror Forumi Ekonomik Botëror, të Shqipërisë, përsëri e llogarit pas 100 vendesh. Kurse konkurrueshmërinë për burimet natyrore, që nuk i mungojnë këtij vendi, po i mungon dora e nikoqirit që e qeveris, e rendit në të 61. Pra të gjitha këto z.Kryeministër tregojnë se ne nuk konkurrojmë me asnjë vend Europian, me të cilët jemi në garë zhvillimi. Një det i tërë, detin Adriatik, që na e ka falur Zoti dhe natyra, ne e kemi kthyer në kanal të ujërave të zeza. Biles sot akuzën e fundit e kemi nga Kroacia, që mbeturinat tona kanë prishur higjienën edhe të detit Kroat. Ju flisni për biznesin z.Kryeministër, por Forumi Ekonomik Botëror lidhur me mjedisin e biznesit dhe me lehtësimin e manovrimit dhe të kooperimit të biznesit në Shqipëri, e llogarit të 73 në botë. Ju flisni në treguesit e të bërit biznes janë lehtësuar, por Forumi Ekonomik Botëror e llogarit të katërtin nga fundi në Europë dhe të tretin nga fundi në Ballkan.
Z.Kryeministër, ju flisni për arsimin dhe për kohën e internetit. Inovacioni dhe progresi teknik dhe ai teknologjik, Forumi Ekonomik Botëror e llogarit vendin tonë në vendin e 123. Kështu mund të vazhdoj edhe për koeficientin e rrezikshmërisë të investitorëve të huaj dhe mbetemi vend me rrisk të lartë, biles nga më të lartët e rajonit dhe në Europë. Këto janë përgjigjet që duhet të jepni për buxhetin dhe jo ato që thatë ju z.Kryeministër.
Le të vijmë tek shifrat tuaj. Të ardhurat totale të këtij buxheti që ju nuk e prezantuat sot siç ju detyron Kushtetuta. Duhet ta dinë shqiptarët që janë më të vogla se buxheti fillestar i 2010. Të ardhurat nga tatimet të buxhetit 2011, duhet ta dinë shqiptarët se janë më të vogla, se buxheti fillestar i 2010. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat duhet ta dinë shqiptarët, që janë më të vogla se buxheti fillesat i 2010. Të ardhurat për pushtetin vendor duhet ta dinë shqiptarët që janë më të vogla se buxheti i vitit të kaluar. Të ardhurat për sigurimet shoqërore duhet ta dinë shqiptarët se janë më të vogla se buxheti i 2010. Ju folët për rritje pagash. Por shifrat që ti ke në buxhet janë më të vogla se buxheti i 2010. Me çfarë do rriten pagat, kur këtë buxhet që ti paraqet sot, që se paraqite, por që ne e kemi të shkruajtur dhe ti bën demagogjinë e radhës. Ti që flet për pensionistët, për rritje pensionesh, shifra që ke në buxhet, le ta dinë pensionistët, është e njëjtë me atë të 2010. Me se do rriten kur shifra është e barabartë në buxhet. Ju flisni dhe si zini në gojë sot, ish të përndjekurit, apo ish pronarët. Shifra që keni në buxhet sot për kompensimin e ish pronareve është me e vogël se ajo e 2010. Prandaj ata duhet të marrin përgjigje buxhetore nga ky parlament që nuk ka kompensim pronash, ose ka afërsisht në nivelin e vitit të kaluar.
Ju flisni për autonomi të pushtetit vendor, por si shpenzimet për buxhetin e pushtetit vendor, edhe granti i pakushtëzuar i pushtetit vendor, ose është i njëjtë, ose është më i vogël se buxheti i 2010.
Ju flisni për papunësinë. Shpenzimet që keni vendosur në projekt buxhetin e paraqitur këtu, për papunësinë i keni të njëjta me 2010. Ju flisni, apo se zini në gojë varfërinë, po shpenzimet për ndihmën ekonomike, i keni të njëjta me shifrat e buxhetit të 2010. Për investimet në bujqësi, 0.2 lekë për çdo 100 lekë të GDP, ose të njëjtë me atë të 2010. Ju flisni për arsimin. Investimet për Ministrinë e Arsimit janë 0.3 lekë për çdo 100 lekë të GDP ose më të vogla se 2009 dhe se 2010. Ju flisni për shëndetësinë. Investimet në sektorin e shëndetësisë janë 0.3 lekë për çdo 100 lekë të GDP, ose të njëjta me ato të buxhetit të vitit të kaluar.
Ky është realiteti i buxhetit të këtij viti. Prandaj ne kemi ardhur këtu si opozitë të shpalosim gjithë angazhimin dhe përgjegjësinë tonë, për ta bërë të qartë buxhetin e vendit tonë të përbashkët.