English

Balla: Do publikojmë fakte të tjera për pasuritë e Metës, dyqane dhe lokale në Bllok

Tiranë, 25 nëntor, NOA – Partia Socialiste kërkon nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave që të zbardhin të vërtetën për pasurinë e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta.

“I kërkojmë sot Ministrit të Drejtësisë të zbardhë kontratat noteriale të shitblerjes së apartamentit me vlerë 1.2 milionë euro në bllok si dhë për vilën prej 500 000 euro në Gjirin e Lalzit. I kërkojmë Ministrit të Financave të zbardhë nëse shtetasi Ilir Rexhep Meta ka paguar tatimet në blerjen apo përfitimin përmes dhuratës së këtyre dy pronave”, tha sot Sekretari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

Deputeti socialist ju referua dy pasurive të përmendura edhe ditë më parë, që sipas tij nuk janë deklaruar nga zëvendëskryeministri Ilir Meta.

“Në deklaratën e pasurisë së Ilir Metës, mungojnë dy prona në zotërimin dhe pronësinë e tij, një apartament 600 m2 në qendër të Bllokut dhe një vilë super luksoze në Gjirin e Lalzit. Këto dy prona në bazë të ligjeve të këtij vendi blihen apo dhurohen përmes një kontrate noteriale”, tha sot Balla.

Ai shtoi se këto dy prona prej rreth 1.7 milion eurosh janë vetëm maja e ajsbergut e pasurive të tij të padeklaruara. Ai ka përmendur se Meta në pasuritë e padeklaruara “ përfshihen edhe një rrjet dyqanesh e lokalesh përsëri në bllok dhe në pjesë të tjera të Tiranës, për të cilat do të japim detaje në ditët në vijim”.

Ai u shpreh se sido që t’i ketë përfituar Ilir Meta këto dy prona, me blerje apo dhurim, sipas udhëzimeve të ministrive duhet të kishte paguar tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie në përputhje me aktet ligjore.

“Ekspertët e tregut imobiliar na vërtetuan vlerën reale të këtyre dy pronave. Ndërkohë që ka një udhëzim të Këshillit të Ministrave që përcakton dhe kostot mesatare të ndërtimit të banesave”, tha Balla.

Sipas tij apartamenti 600 m2 në qendër të bllokut sipas udhëzimit të këshillit të ministrave ka një kosto mesatare ndërtimi prej 175 000 lekë metri katror.

“Kjo do të thotë se Ilir Meta për apartamentin 600 m2 në qendër të Bllokut duhet t’ i kishte paguar shtetit 105 milion lekë të vjetra tatim dhe një vlerë prej rreth 50 milion lekësh për vilën në Gjirin e Lalzit”, tha Balla.

a.k/NOA

KOMENTE