Londër, 25 nëntor, NOA - Në javët e ardhshme, ose më së largu deri në fund të vitit Bashkimi Evropian do të hapë dialogun për viza me Prishtinën. Kështu thuhet në një analizë të agjencisë Rojters kushtuar raporteve të BE-së me Kosovën, të cilën e transmeton RTK-ja.
Hapja e këtij dialogu për viza do të ishte një inkurajim i madh për qeverinë e Kosovës dhe një sinjal i fortë se vendi është i vendosur fuqishëm në binarët e integrimit në BE. Rojters citon disa zyrtarë të Bashkimit Evropian të kenë argumentuar se, “sa më shpejt fillon të hapet dialogu për viza aq më mirë, pasi Kosova ka nevojë të inkurajohet për të filluar bisedimet e rëndësishme me Serbinë për çështje praktike”.
Ndonëse Beogradi dhe Prishtina janë pajtuar për fillimin e bisedimeve ende asnjëra palë nuk ka bërë ndonjë lëvizje në drejtim të fillimit të takimeve formale.
Rojters shkruan në analizën e vet se disa diplomatë evropianë kërkojnë me ngulm hapjen e dialogut për viza me Kosovën, sepse siç thonë ata, mund të ndodhë që politikanët e Kosovës të kushtëzojnë fillimin e bisedimeve me Serbinë me nisjen e dialogut për viza me Bashkimin Evropian. Ndonëse Kosova është një vend i vogël dhe i varfër prej 2 milionë banorësh, ajo mund të jetë çelësi i stabilitetit në rajon, i cili ka qenë i përfshirë për disa dekada nga konfliktit etnike.
Në tërësi, Brukseli ka një politikë të qartë ndaj Kosovës. Ai thotë se Prishtina mund të bëhet anëtare e BE, por vetëm kur të përmbush kushtet. Ajo që për Bashkimi Evropian paraqet shqetësim të shtuar është migracioni i paligjshëm. Ndonëse se Kosova është një vend i vogël, me një popullsi prej rreth 2 milionë, qytetarët e saj tashmë përbëjnë grupin e pestë më e madhe e azilkërkuesve në BE. Sidoqoftë shkruan Rojtes, shtyrja e dialogut për viza me Kosovën nga ana e Bashkimti Evropian do të përbënte një turp.
NOA