English

BE ndihmon Policinë Kufitare të Kosovës

Prishtinë, 25 nëntor, NOA - Zyrtarisht është shënuar përmbyllja e projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian “Përforcimi i Sundimit të Ligjit- Policia Kufitare”, si projekt i parë i binjakëzimit në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Kontrolli kufitar i Kosovës, pas implementimit të këtij projekti 18 mujor, është në gjendje të kryej punë të standardeve evropiane, në harmoni me Kodin Kufitar të Shengenit.

Lidhur me këtë, Melvin Asin, zv/drejtor i Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të KE-së, tha se “projekti ka vendosur standarde për kontrollin kufitar në Kosovë. Në raportin e Progresit të Kosovës 2010 është theksuar se Kosova ka bërë disa përparime sa i përket menaxhimit të kufijve. Tani për Kosovën si sfidë do të jetë mbajtja e këtyre standardeve dhe përmirësimi i atyre që janë arritur deri më sot".

Projekti gjithashtu është përqendruar në sigurimin e zbatimit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve përgjatë tërë vijës kufitare të Kosovës, përmirësimin e strukturës së Policisë së Kosovës, si dhe legjislacionit përkatës.

Këtë e theksoi edhe ndihmës-drejtori për Policinë Kufitare të Kosovës, Shaban Guda.

“Disa nga komponentët e projektit të binjakëzimit që janë shumë të rëndësishme për policinë kufitare të PK-së janë:ristrukturimi i policisë kufitare duke mundësuar që të kemi një strukturë që i përgjigjet kërkesave të kohës dhe duke u bazuar në praktikat më të mira të BE-së, përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe trajnimet profesionale”, theksoi Guda duke falënderuar Komisionin Evropian për këtë projekt.

n.e/NOA
KOMENTE