English

Dialogu ndëretnik e ndërfetar dimension për paqen dhe sigurinë në Ballkan

Shkodër, 25 nëntor, NOA – Dialogu ndëretnik dhe ndërfetar është një dimension thelbësor në procesin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova në qytetin e Shkodrës ku po mbahet konferenca me temë: “Dialogu për Stabilitetin e Ballkanit, Forcimin e Dialogut Ndëretnik dhe Ndërfetar në Europën Juglindore”, e organizuar nga Qendra për Bashkëpunimin dhe Sigurinë (RACVIAC ) dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i kësaj konference është të kontribuojë për një dialog sa më të mirë konstruktiv në çështjet për sigurinë midis shteteve të Europës Jugllindore.

Si kryefjalë e dikutimeve në këtë veprimtari ishte stabiliteti në rajon brenda kufijve të besimit fetar dhe tolerancës etnike, si një dimension thelbësor në procesin e politikëbërjes në kuadër të sigurisë në Europën Juglindore.

Gjatë konferencës ku merrnin pjesë përfaqësues nga vendet e rajonit si, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, përfaqësues të besimeve fetare, përfaqësues të OSBE-së në vendin tonë, diplomatë, akademikë etj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova deklaroi se “dialogu ndërfetar, në qoftë se do të shikonim historikisht, ka mëse 150 vjet që ka filluar në vende të ndryshme të botës. Rajoni ynë ka patur një dialog të tillë, shpesh herë spontan, shpesh herë të organizuar dhe këtu e kam fjalën për shekuj e dekada”, tha ai.

Sipas Starovës ideja dhe qëllimi i këtij aktiviteti është që këtë dialog t’a stimulojë, meqenëse ky rajon, përveçse një trashëgimie pozitive, ka patur dhe ka shumë probleme. “Ishte lufta më e fundit dhe nga më të tmerrshmet, e cila solli edhe shumë viktima në territoret e ish-Jugosllavisë, e cila pavarësisht se sot i ka zhdukur gjurmët kryesore, përsëri ka probleme dhe problemet kryesore lidhen më shumë me mentalitetet e njerëzve, me marrëdhëniet si rezultat i ndikimeve të mbetura”, tha Starova.

Ai tha se gjatë këtyre ditëve nga kjo konferencë do të dalin shumë ide dhe ndoshta ide të cilat mund të institucionalizohen nëpërmjet këtij dialogu.

“Problemet e sigurisë kanë mbetur ende nga e kaluara, thotë Starova duke sqaruar se “Dihet që ka probleme ndëretnike dhe ndërfetare në këtë vend, ka probleme që lidhen me sigurinë ndërkombëtare si rezultat i globalizmit, si rezultat i disa rreziqeve që janë globale dhe jo vetëm të rajonit, ndërkohë që konferenca të tilla, dialogje të tilla synojnë që t’i nxjerrin në evidencë, të marrin spunto ose inkurajim për veprime të caktuara në mënyrë që të gjithë faktorët shoqëror, ku feja është shumë e rëndësishme për shkak të karakterit unik që ka si komunitet, të mund të ndikojë tek përmirësimi i klimës së sigurisë në rajon ose më saktë përforcimi i kësaj klime që paqja në këtë rajon të jetë sa më afatgjatë, mundësisht e pa kthyeshme”, përfundoi ai.

Konferenca “Dialogu për Stabilitetin e Ballkanit, Forcimin e Dialogut Ndëretnik dhe Ndërfetar në Europën Juglindore” i përfundon punimet e saj nesër në 26 nëntor.

mit/NOA
KOMENTE