Gjirokastër, 25 nëntor, NOA – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar një të ri pasi i vodhi para’ nga portofoli vjehrrës së tij, të cilat më pas i luajti në lojërat e fatit.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se i ndaluari është 23-vjeçari Bujar Gjumsi, lindur dhe banues në Kavajë, i cili banonte me qera në një lagje të qytetit të gurtë dhe i ka vjedhur në një lokal në lagjen “18 Shtatori” vjehrrës me inicialet B.V. portofolin me 300 euro dhe 8.000 lekë të reja.
Specialistët hetimorë, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, kanë bërë dokumentimin me prova ligjore të kësaj vepre penale ku ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj vjedhjeje ishte i lartpërmenduri.
Kapja e tij u bë nga policia në orët e para të mëngjesit në lagjen Dunavat të qytetit Gjirokastër, në një banesë ku ky person qëndronte me qera.
Nga kontrolli që iu bë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 5.000 lekësh të reja, e mbetur nga shuma e vjedhur, pasi sipas shpjegimeve të tij pjesën tjetër të lekëve dhe eurot i kishte prishur duke luajtur në kompjutera me lojëra fati.
Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes”, vepër kjo e parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
n.e./NOA