Uashington, 25 nëntor, NOA - “Mbrojtja e vendeve anëtare të NATO-s është përgjegjësi që Aleanca Veri-atlantike nuk e ndan me askënd”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ivo Daalder, ambasador i SHBA-ve në NATO.
“NATO-ja do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje kolektive për të gjitha vendet anëtare ndaj të gjitha kërcënimeve, të reja dhe të vjetra. Kjo është riafirmuar në formë shumë të fuqishme. Në dokumentet e Aleancës është nënvizuar, gjithashtu, se ne duam të ndërtojmë sigurinë bashkë me të tjerët, duke nisur nga fqinjët tanë dhe pjesët tjera të botës, duke pasur parasysh kontekstin global, në të cilin operon NATO”, tha ai.
Cilat janë të arriturat më të rëndësishme të samitit të NATO-s dhe Këshillit NATO-Rusi në Lisbonë?
Ishin tri çështje të mëdha, me të cilat u ballafaquam në përpjekjen tonë për të rindërtuar aleancën. Njëra kishte të bënte me sigurimin se NATO-ja është e gatshme të ballafaqohet me sfidat e shekullit XXI. E dyta, kishte të bënte me sigurimin që Aleanca dhe partnerët e saj të mbeten të bashkuar në rrugën drejt suksesit në Afganistan dhe e treta ishte rifreskimi i raporteve ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Dhe, në të gjitha këto sfera ne kemi arritur atë që kemi dëshiruar. Kemi një NATO që tash është e gatshme të ballafaqohet me sfidat e sigurisë të shekullit XXI. Ne kemi jetësuar vendimin për vendosjen e sistemit mbrojtjes raketore që do të merret me kërcënimet e raketave balistike që vijnë nga juglindja, Lindja e Mesme dhe vendet tjera të ngjashme dhe atë për reformimin e aleancës dhe institucioneve të saj me qëllim që të jetë me fleksibile dhe më agile për botën e tashme. Hapi tjetër kishte të bënte me sigurimin se jemi në rrugën e drejtë për të shënuar sukses në Afganistan. Në këtë kontekst, ne kemi përcaktuar objektivin që e ka formuluar presidenti Karzai për të kompletuar procesin, sipas të cilit, afganët do t’i drejtojnë çështjet e sigurisë deri në fund të vitit 2014.
Sa është relevante sot NATO-ja, përkatësisht a është ende NATO relevante?
Qëllimi i gjithë samitit ishte përgjigja në këtë pyetje. Ne kemi diskutuar për këtë çështje më shumë se një vit, pra kemi shtruar pyetjen për rolin e NATO-s, evolucionin e NATO-s dhe nga po shkon Aleanca. NATO-ja do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje kolektive për të gjitha vendet anëtare ndaj të gjitha kërcënimeve, të reja dhe të vjetra. Kjo është riafirmuar në formë shumë të fuqishme. Në dokumentet e Aleancës është nënvizuar, gjithashtu, se ne duam të ndërtojmë sigurinë bashkë me të tjerët, duke nisur nga fqinjët tanë dhe pjesët tjera të botës, duke pasur parasysh kontekstin global, në të cilin operon NATO.
Keni përdorur frazën “NATO ka riafirmuar gatishmërinë për t’u ballafaquar me të gjitha llojet e kërcënimeve”. Ç’do të thotë kjo?
NATO-ja, para së gjithash, mbron territorin dhe popullatën nga sfidat e sigurisë në gjithë botën. Problemi qëndron se tash sfidat e sigurisë nuk janë vetëm kalimi i ushtrisë brenda kufijve të dikujt, siç ka qenë për një kohë të gjatë. Tash kërcënimet vijnë nga shumë drejtime tjera - raketat balistike, nga shtetet jo-stabile dhe të dështuara, që shërbejnë si hapësirë për sulme terroriste e të ngjashme. Këto janë sfidat, me të cilat ne sot ballafaqohemi. NATO-ja duhet të ketë kapacitete për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe në Lisbonë ne vendosëm se Aleanca këtë jo vetëm që mund ta bëjë, por duhet ta bëjë.
Keni apostrofuar fillimin e zvogëlimit të trupave luftarake amerikane nga Afganistani nga viti 2011?
Siç ka thënë presidenti (Barak Obama), zvogëlimi i forcave do të fillojë nga korriku i vitit 2011. Shpejtësia do të varret nga kushtet në terren dhe këtë ne tash nuk mund ta dimë. Deri në korrikun e vitit 2011, mund të ketë shumë ndryshime që mund ta kushtëzojnë këtë vendim. Por, fakti se forcat do të fillojnë të largohen është një zotim që presidenti e ka bërë dhe që do ta mbajë.
Presidenti i Rusisë, Dmitrij Medvedev, ditëve të fundit ka folur për idenë që NATO-ja dhe Rusia t’i ndajnë përgjegjësitë për pjesë të ndryshme të sistemit të mburojës raketore?
Ka shumë ide të ndryshme në tavolinë dhe ne do t’i elaborojmë ato. Por, një është e sigurt: kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e territorit të NATO-s, kjo është përgjegjësi vetëm e Aleancës Veri-atlantike. Kjo do të jetë çështje e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të NATO-s në Evropë. Ne nuk do të lejojmë që çështjen e sigurisë së vendeve anëtare të NATO-s, t’ia dorëzojmë kujtdo qoftë.
A mund ta parashikoni skenarin, në të cilin autoritetet e Rusisë do të kishin fjalën rreth vendimeve që kanë të bëjnë me sistemin e mburojës raketore?
Unë mund të shoh skenarin, në të cilin NATO dhe Rusia do të punojnë së bashku. Por, kurrë në formën që një vend jo anëtar i NATO-s të ketë të drejtën e vetos ose të kontrollit të sistemit të Aleancës. Ne duam të bashkëpunojmë me Rusinë, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e NATO-s, kjo është një përgjegjësi që Aleanca Veri-atlantike e mban për vete dhe do ta mbajë vetëm në duart e vendeve anëtare.
REL