Në skenën politike të vendit, mendohet se janë krijuar rrethana të reja me ardhjen në krye të LDK-së, të Isa Mustafës. Për mendimin tim kjo nuk do të duhej aspak ta favorizonte këtë parti, për faktin se Isa Mustafa, ish-ministër i Ekonomisë në ekzil, kishte manipuluar drejtpërdrejt me mjetet që janë grumbulluar nga diaspora shqiptare për një dhjetëvjetësh të tërë, fati i të cilave nuk dihet sot e gjithë ditën.
Ilir Sefaj
Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë të pluhurit që po çohet rreth pa-natyrshmërisë së koalicioneve qeverisëse me të cilat është karakterizuar Kosova në këtë periudhë të pas okupimit. Nga analistë politikë, po edhe nga qarqe të ndryshme politike, rast më eklantant i kësaj pa-natyrshmërie u konsiderua koalicioni i dalë nga zgjedhjet e 2007-ës, ai mes PDK-së dhe LDK-së.
Mirëpo, e vërteta e këtij tregimi fillon diku tjetër. Sesa do të mund të quhet i panatyrshëm ky koalicion, tregon bashkëpunimi par exellance mes këtyre të dyja subjekteve politike kur ishte në pyetje interesi personal. Divergjencat apo në thonjëza pa-natyrshmëria e këtij koalicioni, u vu në pah, vetëm atëherë kur grupeve të interesit po u cenohej e drejta e sovranit, e drejta e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. D
he shembull më tipik për këtë është shkarkimi i Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit, pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila doli me opinionin se ish- presidenti Sejdiu kishte shkelur rëndë Kushtetutën, dhe po ashtu bojkoti i institucioneve më pastaj i partnerit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Që të dyja këto subjekte politike, përveç nëpërkëmbjes së votëbesimit të qytetarit, në këtë periudhë të keqqeverisjes së tyre, pra të dështimit të tyre në premtimet e dhëna, ato kishin manipuluar me po këtë votues duke krijuar koalicion qeverisës me “oponentët” e njëra-tjetrës, duke shkelur kështu direkt mbi vullnetit të elektoratit të tyre.
Meqenëse qytetarët e Kosovës e kanë një përvojë bajagi të hidhur nga krijimi i këtyre koalicioneve, atëherë pritet që kësaj radhe të tregohen më vigjilent në ditën e votimit, ngase koha e dëshmoi se vota për PDK-në, do të thotë votë për LDK-në, dhe e kundërta. Gjithsesi, duhet të jemi të vëmendshëm edhe ndaj AKR-së, e cila i rri shumë karshi PDK-së në kuptimin e krijimit të një koalicioni të mundshëm qeverisës pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, përkundër të vërtetës se kjo parti pritet të marrë një përqindje të vogël të votëbesimit të qytetarit.
Në anën tjetër, në skenën politike të vendit, mendohet se janë krijuar rrethana të reja me ardhjen në krye të LDK-së, të Isa Mustafës. Për mendimin tim kjo nuk do të duhej aspak ta favorizonte këtë parti, për faktin se Isa Mustafa, ish-ministër i Ekonomisë në ekzil, kishte manipuluar drejtpërdrejt me mjetet që janë grumbulluar nga diaspora shqiptare për një dhjetëvjetësh të tërë, fati i të cilave nuk dihet sot e gjithë ditën.
Po ashtu, kryetari aktual i Prishtinës është dëshmuar për mos efikasitet edhe në detyrën e kryebashkiakut, për faktin se kryeqyteti i |Kosovës është ngulfatur nga ndërtimet pa leje. Faktikisht Prishtina me një infrastrukturë të tillë, do të mund të renditej në mesin e qyteteve më të shëmtuara të botës. Andaj, përderisa Mustafa nuk ka pasur alternativë për zgjidhjen e problemeve me të cilat janë ballafaquar qytetarët e një qyteti, dihet sesa do të ishte i gatshëm të merrte përgjegjësi më të mëdha. Si do që të jetë, kur flasim për koalicionet dhe pa-natyrshmërinë e tyre, mund të konkludojmë se të tillë do ta quanim vetëm një koalicion të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, meqë në këtë periudhë të jetës politike, Vetëvendosja është konsideruar e vetmja opozitë e mirëfilltë e Partisë Demokratike të Kosovës, po edhe e grupimeve të tjera politike në vend, të cilat direkt ose indirekt kishin mbështetur vendimet jo rrallë të dëmshme që kishte marrë qeveria Thaçi, tashmë në shkarkim.
Qysh tash, grupet e interesit po i bëjnë kalkulimet për bashkëqeverisje të mundshme pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ani pse këtë përllogaritje besohet se do t’ua prish Lëvizja Vetëvendosje e cila sigurisht se do të zërë pjesën dërmuese të ulëseve në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Premtimet të cilat i jep kryeministri në shkarkim për rritje pagash për mësimdhënësit, e shumë të tjera më të cilat tashmë jemi mësuar t’i dëgjojmë, e të cilat tingëllojnë shumë arkaike, sigurisht se janë të pa baza dhe kanë ngjyrat e saja paraelektorale.
Dihet mirëfilli se ende nuk është miratuar buxheti i shtetit për vitin në të cilin po hyjmë, dhe nga grantet qeveritare sigurisht se nuk mund të përmbushën këto premtime false, pra një kryeministër në shkarkim nuk ka kompetencë të jap premtime të tilla. Megjithatë, ky diskurs i Hashim Thaçit është diçka e njohur për opinionin dhe nuk do konsideruar si shumë të panatyrshëm, e jona është që ditën e zgjedhjeve t’ia tregojmë rrugën kryetarit të PDK-së, rrugë të cilën vet e ka trasuar, me dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë së tij. Unë jam më se i bindur, se në zgjedhjet e 12 dhjetorit do të ndëshkohet kjo retorikë bajate e kryeministrit në shkarkim. Rrugëdalje tjetër nuk ka.
NOA