English

Kodheli: Borxhi publik, 3165 dollarë për çdo shqiptar në vitin 2013

Tiranë, 25 nëntor, NOA Update – Deputetja e Partisë Socialiste dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Mimi Kodheli ka dhënë shifra alarmante për rritjen e borxhit publik.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, gjatë diskutimit për buxhetin e vitit 2011, Kodheli ka thënë se ekonomia shqiptare nuk është në nivelet e deklaruara nga qeveria. Sipas saj borxhi publik është shumë më i madh se ai që thuhet.

“Detyrimet e prapambatura të qeverisë po rriten çdo ditë: pronarë, ish të përndjekur, ish-ushtarakë, punë të papaguara, vendime gjykatash e shumë të tjera si këto, përkthehen në qindra miliarda lekë detyrime për t’u paguar. E ndërkaq, vetëm zyrtarisht, borxhi publik mbi kurrizin e çdo njërit prej nesh fillon nga 1462 dollarë që ishte në vitin 2005, do shkojë në 3165 dollarë në vitin 2013”, tha Kodheli.

Ajo ka theksuar se mundësia e financimit të ekonomisë me lekë privatizimesh, sa vjen e tkurret, ndërkohë që papërgjegjshmëria e qeverisë për të marrë borxh me çdo çmim a interes, sa vjen e rritet.

“Por mos harroni se sa më shumë e rrisni borxhin dhe koston e tij, aq më shumë e dëmtoni cilësinë e rritjes ekonomike të vendit dhe cilësinë e jetës së njerëzve”, tha Kodheli.

Ajo ka theksuar se ka ardhur koha që vendi të drejtohet me një filozofi më të re ekonomike dhe me më shumë largëpamësi.

“Shqipëria me armatën e saj të 1 milion të papunëve e të pasiguruarve, me korrupsionin, monopolet, ekonominë joformale, krimin e organizuar dhe evazionin fiskal, me analfabetet dhe punëtorët e krahut në të zezë, Shqipëria pa shërbime për të gjithë dhe pa ujë në çesma, pa nxitës ekonomikë dhe treg të lire, Shqipëria e papastruar dhe shpesh herë e përmbytur, Shqipëria larg standardeve, kërkon dhe meriton të drejtohet ndryshe”, u shpreh Kodheli.

a.k.NOA

KOMENTE