Tiranë, 25 nëntor, NOA – Gjatë diskutimeve në Kuvend për projekbuxhetin 2011, Kryeministri Berisha i duke replikuar me kryetarin e Grupit Kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi i bëri rishtas thirrje opozitës ta votojë buxhetin e vitit 2011, që sipas tij është buxheti më i madh që ka patur ndonjëherë vendi, duke e akuzuar opozitën se nuk e voton atë për interesat e lidershipit të PS-së, por dhe se për këtë politikë do të mbetet edhe për shumë kohë në opozitë.
“Unë ju bëra thirrje të votoni buxhetin, duke dëshmuar pendesë se nuk e votuat vjet, por e shoh se për ju i pari nuk është qytetari, por është kryetari, sepse po të donte kryetari të ishte i parë, nuk flisje ti, si kryeministër në hije, por fliste ai, por atë nuk e linte lepuri që të vinte këtu. Ndaj unë do ta mbyll me fjalën, që tha miku im në Bruksel, se ti je politikan shumë, shumë i mirë, por që për kohë shumë, shumë të gjatë do të jesh në opozitë”.
Gjatë replikës së tij në kuvend, kryeministri Berisha e siguroi sakaq zotin Ruçi se “të jesh i sigurt ti dhe kryetari yt, se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë të paktën për 25-30 vjet, njeri më konfortabël për mua, për kundërshtar, sesa Edvin Kristaq Rama. Kam arritur në këtë konkluzion jo rastësisht, por në historinë e politikës europiane dhe botërore nuk mund të gjesh kurrë një personalitet politik, që të mos artikulojë dot qoftë edhe një projekt, premtim a problem për qytetarin, përveçse për veten e tij”, tha Berisha.
Duke mbrojtur akuzat e tij, kryeministri Berisha tha se problemi i opozitës është psikologjia e bllokmenit, që i ka paralizuar ata sipas tij, nga çdo lloj komunikimi programor.
Ish kardiorurgu i njohur theksoi se për të lideri i opozitës Edi Rama është kundërshtar dhe pacient, sepse sipas tij përgjatë 12 vjetësh nuk thotë dot një fjalë për qytetarët shqiptarë, përveçse për karrigen e tij.
Duke mbrojtur të dhënat e rritura në buxhet për pushtetin vendor përkundër akuzave të opozitës, shefi i ekzekutivit tha në parlament se është krejt e pandershme që të shohësh problemin e buxhetit vendor, kur bashkia e Tiranës në vitin 2005, merrte vetëm 350 milion lekë, ndërsa në vitin 2009-2010, kjo bashki e ka buxhetin mbi 1 miliard.
“Sot, buxheti për pushtetin vendor arrin në 35 miliardë lekë. Për ju problemi është se nuk ekzistojnë komunat, fshatrat, bashkitë, ndaj i shumëzoni me zero ato. Merrni dhe shikoni fondet. Ne kemi prurë një rregull të ri, sepse konstatuam se ne trefishonim buxhetin, zotëria trefishonte nëntëdhjetëenëntëshat”, pohoi kryeministri.
Ai vijoi më tej duke thënë se “Do t’ia bëja hallall, nëse do të kishte punësuar militantë të Partisë Socialiste, sepse ata kanë meritë, siç kanë të çdo partie dhe duhen shpërblyer dhe nuk jam kundër. Por të fusësh nëntedhjetëenëntëshat në punë, kjo nuk tolerohet. Cili nga ne këtu do të donte që fëmijët tanë të quheshin nëntëdhjetëenëntësha, cili është morali këtu. Nëntëdhjetëenëntëshat kanë mbushur bashkinë e Tiranës”, tha Berisha.Vijon...
mit/NOA