Tiranë, 25 nëntor, NOA – Biznesi grek është i mirëpritur të kryej investime në Shqipëri. Kjo është deklarata që ka bërë sot zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, në Forumin Ekonomik Greqi-Shqipëri
Meta garantoi investitorët grekë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë miqësore dhe inkurajuese, si dhe gatishmërinë e qeverisë për të nxitur dhe përshpejtuar projektet e tyre.
“Greqia është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë. Është partneri ynë i dytë për shkëmbimet tregtare dhe ekonomike. Jemi shumë optimist që me vitin që vjen këto shkëmbime të rriten dhe të intensifikohen. Gjatë vitit të ardhshëm në presim të realizojmë disa privatizime të rëndësishme në sektorët energjetikë, sidomos në fushën e energjetikës dhe investitorët nga Greqia janë të mirëpritur për të marrë pjesë në procese transparente dhe me asistencë ndërkombëtare”, u shpreh Meta.
Në këtë Forum ishin të pranishëm Ambasadori i Greqisë, në Tiranë, Nikos Pazios, përfaqësues të biznesit grek dhe shqiptar në vendin tonë.
Në fjalën e tij Meta, vlerësoi organizimin e Forumit Ekonomik Greqi-Shqipëri dhe u shpreh se ai do të shërbejë për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin që biznesi grek ka dhënë për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe ftoi biznesin grek të investojë në vendin tonë, sidomos në sektorin energjetik.
Në këtë takimin foli dhe Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikos Pazios. Ai u shpreh se Forumi Ekonomik Greqi-Shqipëri do të ndikojë pozitivisht në shkëmbimet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Duke iu referuar shkëmbimeve mes Greqisë dhe Shqipërisë, Pazios tha se, gjatë vitit 2009 volumi i tyre ka shënuar një rritje prej 2 për qind, duke arritur në 650 milionë euro.
a.k/NOA