Tiranë, 25 nëntor, NOA – Disa nga filmat më të mirë shqiptarë do të shëtisin drejt Kërçovës në Maqedoni.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Shoqata Qytetare për Art dhe Kulturë nisin nga sot organizimin e Ditëve të Filmit Shqiptar në Kërçovë.
Përgjatë tri ditësh për publikun e Kërçovës në Maqedoni do të shfaqen disa nga filmat e kineastëve të njohur si Artan Minarolli, Gjergj Xhuvani.
Filamt do të shfaqen nga data 25 - 27 nëntor në Qendrën e Kulturës në Kërçovë.
Programi ngërthen në datën 25 nëntor, shfaqjen e filmave “Kronikë provinciale” një produksion i vitit 2009 dhe “Qind për qind” i prodhuar në 1993-in të dy filma të regjisorit Artan Minarolli.
Në datën 26 nëntor do të shfaqet filmi “Lindje-Perëndim-Lindje” i regjisorit Gjergj Xhuvani dhe në datën 27 nëntor do të projektohet për dashamirët e filmit në Kërçovë, filmi “Shqiptari” i regjisorit Johannes Naber.
Arkivi Qendror i filmit thonë se ky aktivitet synon të paraqesë tek publiku artdashës shqiptar i Kërçoves, prodhimet kinematografike të këtyre viteve të fundit si dhe për të gjallëruar dorazi jetën kulturore të qytetit.
Aktiviteti zhvillohet edhe falë ndihmës së komunave të Kërçovës, Zajaz, Osllomej dhe Pllasnicë.
mit/NOA