English

Pasqyra e Shtypit, 25 Nëntor 2010

Tiranë, 25 Nëntor, NOA - Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme qëndrimin e djeshëm të kryesocialistit Edi Rama dhe grupit të PS për mocion me debat ndaj kryeparlamentares Topalli dhe reagimin e kësaj të fundit. Ato paraqesin edhe ngjarjen e djeshme në shkollën e Gjuhëve të Huaja, ku një makinë shpërtheu nga eksplozivi. Sikundër gazetat paraqesin dhe kërkesën e punonjësve të KQZ për më shumë fonde mbi ruajtjen e fletëve të votimit.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Ligj i ri për sahatet e dritave”, i cili citon vendimin e ri të qeverisë për faturimet e dritave dhe ankesat e matjes së energjisë elektrike nga sahatet.

“Aldo Bare: Berisha më ka fyer, do ta fyej edhe unë”, është një artikull që citon një deklaratë të bërë nga qelia, prej kreut të bandës së Lushnjës në adresë të Berishës.

“Prokuroria: Rezart Taçi dhe truprojat, 3 muaj burg për rrahjen e Mero Bazes” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Te Gjuhët e Huaja/ Tritol me telekomandë, hidhet në erë makina”, i cili tregon shpërthimin e djeshëm te Rruga e Elbasanit.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “PS dorëzon kërkesën për mocionin e Topallit, skema e shkarkimit”.

Ndërkaq, në rubrikën ‘politikë’ në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Hapet tenderi për Unazën e Madhe të Tiranës, Berisha akuzon Ramën”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Buxheti, KQZ: S’kemi para për ruajtjen e kutive”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Rikthehet marrëveshja e detit, gjenerali shqiptar në Athinë”, i cili tregon detaje nga rikthimi në qendër të vëmendjes sërish të paktit të ujërave me Greqinë.

“Kriza e bukës në ’91, si menaxhoheshin kamionët nga të fortët e lagjeve”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje, referuar viteve të para ’90.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Nëna e Almir Rrapos: Kam frikë për djalin, ma morën pa rroba nga qelia”.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Mocion Topallit, pyetje Berishës ”, i cili tregon platformën e selisë rozë për të shkarkuar kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “KQZ: Kutitë në Lundër, të pasigurta nga zjarri, duhen 33 milionë lekë për ruajtjen”, lidhur me ngërçin në këtë institucion.

Ndërsa çështja “Bare” mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Aldo Bare sulm politikës nga qelia: Bëjnë shoping erotik”.

“Studentët: Pedagogë, mjaft munguat! Na bëni mësim” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Mocioni për shkarkimin e Topallit, tërhiqet Rama”, i cili i referohet qëndrimit të Ramës, kundër kryeparlamentares, shoqëruar edhe nga artikulli tjetër “Topalli: Rama, më ke zhgënjyer”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Grosruk: Të rivlerësohet raporti i KE për Shqipërinë”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Libri, Paskal Milo zbardh të fshehtat e skandalit në Korfuz”.

Ndërsa në rubrikën “opinion” do të lexoni “Përballjet e pritshme në ekonomi/ Nga Ardian Fullani”.

***

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 25 Nëntor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: infoçnoa.al.

n.e/NOA
KOMENTE