English

Pezullohen katër policët që ndaluan deputeten Albana Vokshi në Vërmicë

Prishtinë, 25 nëntor, NOA – Pezullohen katër policë të policisë së Kosovës në pikën kufitare të Vërmicës, që kryen ndalimin në kufi, 11 ditë më parë të deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila kishte dashur të kalonte kufirin përdrejt Kosovës ka iu përgjigjur rregullave doganore dhe duke fyer kësisoj autoritetet kosovare në kufi.

Mediat kosovare kanë informuar sot se katër policë të pikës kufitare të Vërmicës, që ndaluan sipas rregullave deputeten Vokshi janë pezulluar nga detyra.

Madje ato shkruajnë gjithashtu se deputetja Vokshi nuk ka paguar as gjobën prej 250 eurosh që i vunë asaj autoritetet në pikën kufitare të Vërmicës, për mosnënshtrim si të gjithë ndaj rregullave në kufi.

Por, ky incidenti ndaj deputetes Vokshi, nuk mbeti jashtë mbledhjes së grupit kuvendor demokrat, kur të hënën kryeministri Sali Berisha deklaroi se fajin për këtë incident e kishte policia e Kosovës në kufi, gjë që sipas Berishës ia kishte konfirmuar edhe vetë kryeministri në ikje i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i kishte kërkuar ndjesë për incidentin në fjalë duke i theksuar se deputetja Vokshi nuk kishte asnjë faj.

Por, fakti i pezullimit të katër policëve, të cilët pa e njohur deputeten Albana Vokshi i kërkuan asaj të respektonte rregullat duket që çështja ka marrë për mbrapsht.

Në një deklaratë të sajën, deputetja Albana Vokshi në 20 nëntor, deklaroi se autoritetet e kufirit në Kosovë kishin kryer një shkelje të rëndë ligjore ndaj saj, kur disa policë kishin kaluar kompetencat e tyre dhe duke abuzuar me ligjin nuk e kishin respektuar atë, jo vetëm si deputete shqiptare, por e kishin fyer edhe si grua dhe qytetare të lirë.

Deputetja Albana Vokshi duket që nuk i shpëtoi syrit të medias edhe për këtë incident, pas akuzave të panumërta nga opozita për përfitime të paligjshme koncesionesh hidrocentralesh, të cilat ajo i ka përfituar duke futur në mes bashkëjetuesin e saj, Arian Tartari, një çështje që bëri që opozita të kërkojë që të hetohen nga ILDKP edhe bashkëjetuesit e zyrtarëve të lartë dhe jo vetëm bashkëshortët.

Pezullimi i katër policëve ende nuk bëhet zyrtar nga burime të policisë, pasi edhe vetë incidenti ku u implikua deputetja Albana Vokshi është mbajtur top-secret nga pala kosovare dhe ajo shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE