English

Pukë, fshati pa drita, kryeplaku përpiqet të gjejë defektin, e zë korrenti

Pukë, 25 nëntor, NOA – Ndërsa po përpiqej të gjente defektin për mbetjen pa energji elektrike të fshatit për mëse 24 orë, e zë korrenti dhe e lë të vdekur në vend.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së sotme në fshatin Kokëdodë të qytetit të Pukës.

Në një përpjekje vetjake për t’u ardhur në ndihmë bashkëfshatarëve të tij, kryeplaku i fshatit, 50 vjeçari Kolë Ndreaj ka hyrë në kabinën elektrike të fshatit për të parë vetë defektin që kishte ndodhur në shtyllat elektrike duke lënë fshatin në këtë ftohtë dimri edhe pa energji elektrike për më shumë se një ditënatë.

Por, në këtë tentativë, për të risjellë energjinë elektrike, kryeplaku është përplasur përdhe nga korrenti duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë, fshati Kokëdodë i Pukës është ende pa energji elektrike, ndërkohë që familja e kryeplakut të fshatit 50 vjeçar është përballë një fatkeqësie të papritur që i mori kryefamiljarin.

mit/NOA
KOMENTE