Tiranë, 25 Nëntor 2010 NOA - Pas akuzave të kryeministrit Sali Berisha për shpenzime marramendëse të kryetarit të PS-së për veshjen, ka ardhur dhe reagimi i Edi Ramës.
Kreu i PS-së ka shuar kureshtjen e kryeministrit, por jo vetëm kaq. Rama pranoi se pasioni i tij për pikturën i mundëson të dizenjoje vetë një pjesë te veshjeve.
Në emisionin “Top Story”, Edi Rama u shpreh se kemishat për të cilat Berisha tha se kushtojnë 1500 euro, i modelon vet dhe i qep në një rrobaqepës në rrugën “Myslim Shyri”.
“Dëgjova çmimin e këmishës, ata që më njohin e dinë se kam qenë i dhënë pas veshjes, por ka pasur ‘drama’ se nuk gjeja rroba sipas shijes, po edhe pas madhësisë dhe vazhdoj të ruaj vet ndonjë virtyt, të bëjë ndonjë gjë. Këmishët e mia janë të vizatuara nga unë dhe bëhen te rruga “Myslym Shyri”, ku është një rrobaqepës që quhet Arian, mbiemrin se kam fiksuar, por është njeriu që qep këmishët e mia dhe unë jam shumë i kënaqur se tërheqin vështrimin e atyre që takoj, jo vetëm në Tiranë, por edhe jashtë”, tha Rama.
Kryetari socialist u shpreh se këpucët, për të cilat kreu i qeverisë u shpreh se janë me lëkurë gjarpri dhe me një çmim shumë të madh, zakonisht i merr në SHBA për shkak të numrave të mëdhenj që i duhen, por me çmim të arsyeshme. Ai u shpreh se ja gjen vëllai në SHBA.
“Këpucët jam i detyruar t’i blej, por edhe në këtë rast kam një njeri shumë të dashur dhe të apasionuar për veshjen që është im vëlla, që është ndihma ime kryesore në gjetjen e numrave të mëdhenj. Kam parë edhe këtu në Tiranë që ka dyqane shumë të mira”. U shpreh Rama.
I pyetur nëse këpucët e veshura në studio ishin vërtetët me lëkurë gjarpri, Rama nuk e kurseu batutën, duke u shprehur se ishin me “gjarpër të lustruar”.
***
Sakaq, z. Rama paralajmëroi se Partia Socialiste do të bëjë një mocion shkarkimi për kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli nëse nuk miratohet rezoluta e paraqitur në Kuvend nga opozita.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot në emisionin “Top Story” në Top Channel, se qëllimi i rezolutës është shumë më tepër sesa një emër politikani.
“Nuk ka mocion për kryetaren e Kuvendit, ka një nisëm për shkarkim, mocioni është fillimi i një procesi që do të fokusohet me një nismë për shkarkim në rast se kjo rezolutë nuk pranohet”, u shpreh Rama.
Kryetari i PS-së u shpreh e opozita është e gatshme të ofrojë konsensus nëse pranohet rezoluta që i shërben integrimit të vendit. Rama ka theksuar përgjatë intervistë opozita nuk është tërhequr por ka lëshuar nga qëndrimi i saj i mëparshëm për hetimin e fletëve të votimit.
“Nuk është e vërtetë që oferta është bërë pas vizitës time në Bruksel. Oferta është bërë kohë më parë, para se të merrej lajmi i keq i statusit dhe i është dorëzuar dorazi vetë Saliut në tavolinë nga unë. Një ofertë që është një hapi i yni në emër të interesave të vendit për të mirën e gjithë shqiptarëve. Nuk është tërheqje, është lëshim. Është në kulturën evropiane dhe duam që politika të jenë evropiane. Unë nuk kam marrë drejtimin e PS për të ballkanizuar politikën”, tha Rama.
Ai ka folur gjithashtu dehe për pjesëmarrjen e PS në zgjedhjet vendore, duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa dokumente të sigurt dhe regjistër të saktë zgjedhjesh.
Rama ka konfirmuar dhe nisjen e protestave. Ai u shpreh se e para do të zhvillohet nesër në Elbasan dhe më pas në gjithë qytetet kryesore. Kreu i PS-se u shpreh se aksioni i PS-se fillon “duke nisur në qytetin e Elbasanit dhe duke vazhduar në disa qytete të Shqipërisë".
a.k/NOA