English

Rama: Mocioni për Topallin, nëse dështon miratimi i rezolutës së PS

Deklaratat e tjera: “Nga kutitë nuk u tërhoqëm, lëshuam për integrimin e vendit”. Dhe premtimi: “Protestat nisin nesër në Elbasan, më pas në disa qytete kryesore”

Tiranë, 25 Nëntor 2010 NOA - Partia Socialiste do të bëjë një mocion shkarkimi për kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli nëse nuk miratohet rezoluta e paraqitur në Kuvend nga opozita.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot në emisionin “Top Story” në Top Channel, se qëllimi i rezolutës është shumë më tepër sesa një emër politikani.

“Nuk ka mocion për kryetaren e Kuvendit, ka një nisëm për shkarkim, mocioni është fillimi i një procesi që do të fokusohet me një nismë për shkarkim në rast se kjo rezolutë nuk pranohet”, u shpreh Rama.

Kryetari i PS-së u shpreh e opozita është e gatshme të ofrojë konsensus nëse pranohet rezoluta që i shërben integrimit të vendit. Rama ka theksuar përgjatë intervistë opozita nuk është tërhequr por ka lëshuar nga qëndrimi i saj i mëparshëm për hetimin e fletëve të votimit.

“Nuk është e vërtetë që oferta është bërë pas vizitës time në Bruksel. Oferta është bërë kohë më parë, para se të merrej lajmi i keq i statusit dhe i është dorëzuar dora vetë Saliut në tavolinë nga unë. Një ofertë që është një hapi i yni në emër të interesave të vendit për të mirën e gjithë shqiptarëve. Nuk është tërheqje është lëshim. Është në kulturën evropiane dhe duam që politika të jenë evropiane. Unë nuk kam marrë drejtimin e PS për të ballkanizuar politikën. Për fat të mirë të këtij vendi kjo PS që unë kam nderin që të drejtoj, në këtë periudhë që unë e drejtoj”, tha Rama.

Ai ka folur dhe për pjesëmarrjen e PS në zgjedhjet vendore, duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa dokumente të sigurt dhe regjistër të saktë zgjedhjesh.

Rama ka konfirmuar dhe nisjen e protestave. Ai u shpreh se e para do të zhvillohet nesër në Elbasan dhe më pas në gjithë qytetet kryesore. Kreu i PS u shpreh aksioni i PS fillon “duke nisur në qytetin e Elbasanit dhe duke vazhduar në disa qytete të Shqipërisë

a.k/NOA

KOMENTE