English

Rama: Rehabilitimi i segmentit të Lanës, shpëton nga përmbytja dhe gjelbëron mjedisin

Tiranë, 25 nëntor, NOA – Segmenti i fundit i lumit Lanë, ai pranë shkollës Teknologjike deri në Unazë, i mbetur si një nga mbetjet e kulturës së ndërtimit të pafre me moton “ndërto ku të mundesh”, një moto që solli në periudhën e parë post-komuniste edhe shkatërrimin e peizazhit të bukur në tërë gjatësinë e lumit Lanë që përshkon kryeqytetin mu në zemër, duket se është drejt rehabilitimit të shpejtë në një segment që përfundimisht do të shpëtojë atë zonë të Tiranës nga përmbytjet gjatë dimrit.

Gjatë inspektimit të punimeve të nisura nga Bashkia e Tiranës për sistemimin e shtratit të Lanës në këtë urë lidhëse të kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama e ka cilësuar këtë projekt sa të vështirë aq edhe spektakolar, që do të sjellë për qytetarët e Tiranës një të re mjedisore, të gjelbëruar me rrugë dhe stola, tërësisht në dispozicion të këmbësorëve.

Duke thënë se ky projekt do të transformojë rrënjësisht këtë segment të lumit Lanë, kryeqeveritari i Tiranës, theksoi për mediat se “Me kushtet e një dimri më parë, kjo do të ishte një zonë e nxehtë përmbytjesh, ndërkohë, që sot është përfundimisht një zonë e shpëtuar nga çdo përmbytje e mundshme dhe ndërkohë është edhe krijimi i rritjes së përmasës së gjelbër të kryeqytetit”.

“Nga një segment i lumit të Lanës që kishim trashëguar nga e shkuara dhe që e ritransformuam në funksion të së ardhmes, sot kemi një tjetër segment të shtuar, një segment të ri, i cili është në fakt edhe aksi i ri i një tërësie, që do të vazhdojë të zhvillohet si një park, duke u kthyer kështu në një hapësirë të re publike për qytetarët, duke i dhënë kësaj periferie një përmasë të re dhe të domosdoshme, për një periferi të integruar në kryeqytet dhe duke bërë të mundur që në të gjithë këtë territor, të fitojë më shumë hapësirë këmbësori, të fitojë më shumë hapësirë çdokush që ka nevojë për më shumë hapësirë për kohën e lirë dhe sigurisht të fitojë një cilësi të re i gjithë mjedisi, deklaroi Rama.

Bashkia e Tiranës mendon se rëndësia e rehabilitimit të këtij segmenti qëndron në faktin se ky objekt është një element dekorativ me rëndësi për qytetin e Tiranës dhe njëkohësisht një faktor ambiental, që përmirëson ndjeshëm mikroklimën e tij, duke u konsideruar si një korridor i fuqishëm ajrimi.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje, synohet krijimi i aksesit gjatë gjithë gjatësisë së lumit, transformimi i brigjeve të Lanës në hapësira të gjelbra publike dhe semi-publike të hapura/ të aksesueshme nga komuniteti përreth.

Ndërhyrja pritet të garantojë një cilësi të re mjedisore të ajrit, por edhe të mjedisit përreth, në gjithë këtë territor duke përmirësuar edhe cilësinë e jetës së komunitetit, si nga pikëpamja mjedisore ashtu edhe urbane.

Në këtë ndërhyrje është parashikuar që shtrati i lumit të ketë skarpate në të dyja anët e tij.

Gjerësia e shtratit është 9.25 metra linearë me dy bankina të gjelbëruara nga 1 metër linearë në të dy krahët e tij, ndërsa gjatësia e shtratit të lumit, që do të trajtohet është 2.097 metra linearë.

Pastrimi i shtratit dhe rehabilitimi i skarpateve do të shoqërohet me mbjelljen e 510 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme, si elementë kryesorë në aspektin ekologjik që karakterizon ekuilibrat urbanë.

Plani i ri Rregullues e ka konceptuar këtë segment të lumit të Lanës ndryshe nga pjesa tjetër që i paraprin, pasi sipas këtij Plani, kjo pjesë e lumit do të ngjasojë me një park linear natyror, pa praninë e rrugëve për automjete në dy brigjet e tij, sikurse ndodh në segmentin tashmë të ndërtuar të Lanës.

mit/NOA
KOMENTE