English

“Rock për Bashkim”, në 28 nëntor Vetëvendosja do të veshë Pejtonin kuq e zi

Prishtinë, 25 nëntor, NOA – 98 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë do të festohet edhe në Kosovë e Maqedoni përmes aktiviteteve me lajtmotiv Rock për bashkimin e trojeve.

Kjo ide festive është hedhur nga Lëvizja për Vetëvendosje në Kosovë, e cila mbajti një konferencë sot në filialin e saj të hapur në qytezën Pejton në bashkëpunim me Rrjetin e Organizatave Shqiptare, pikërisht mbi atë se ç’farë do të organizojnë për të përkujtuar ditën e Flamurit dhe të Pavarësimit të Shqipërisë, në vitin 1912, në atëkohë kur Shqipëria e Kosova ishin një trup i vetëm ende i pacunguar.

Në konferencë folën Gentian Sala, përfaqësues i organizatës “Blej Shqip” dhe Hysen Durmishi përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gentian Sala tregoi për aktivitetet, që do të organizohen nga RrOSh-i, ditën e Flamurit.

Me deshiren qe edhe ne Kosove te festohet dita e flamurit, Sala lajmeroi se “Në Tiranë do të mbahet panairi i produkteve shqiptare, në Prishtinë do të mbahet koncert me grupet më të njohura shqiptare dhe në Shkup protestë për mosrealizimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe mosanëtarësimin e Maqedonisë në Nato”, tha ndër të tjera Sala.

Ndërsa përfaqësuesi i Vetëvendosjes, foli për rëndësinë e festës së 28 Nëntorit dhe kritikoi institucionet e Kosovës, të cilat ditën e Flamurit e kanë hequr nga festat zyrtare.

Durmishi bëri thirrje për rikthimin e simboleve kombëtare në institucione.

Për 28 nëntor, pra të dielën, Lëvizja Vetëvendosje do të stolisë qytetin me ngjyrat kombëtare, kuq e zi, dhe do të mbajë tryezën me temë, “Shqiptarët në shekullin XXI”.

mit/NOA
KOMENTE