English

Rritja e çmimit të energjjisë, mblidhet koalicioni për mbrojtjen e konsumatorit

Tiranë, 25 nëntor, NOA – Rritja e pritshme e çmimit të energjisë, përqindja e kredive bankare, çmimit të ushqimeve, ujit të pijshëm, problemeve të transportit, etj, që ka sjellë një shqetësim në rritje për konsumatorët shqiptarë ka bërë që Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK) të nisë krijimin e Koalicionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve me mbi 40 organizata të shoqërisë civile dhe 17 klube konsumatorësh, që do të reagojnë kundër rritjeve të pritshme që shkatërrojnë edhe më tej ekonomitë e vogla shqiptare.

Kryetari i ZMK-së, Altin Goxhaj bëri të ditur në një deklaratë për shtyp se “Ky koalicion do të organizojë fillimisht një protestë publike ndaj ERE-s kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe për t’i kërkuar asaj që të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë, duke i garantuar atyre një kontratë të rregullt të formuluar në bazë të legjistlacionit shqiptar për mbrojtjen e konsumatorëve, të drejtën e kompensimit në rast të shkaktimit të dëmit dhe të mungesës së energjisë, një reagim që do të finalizohet para marrjes së vendimit nga ERE, i cili pritet deri në 7 dhjetor, sipas kërkesave për rritje të energjisë të bëra nga CEZ, OST dhe KESH.

Gjithashtu koalicioni do të reagojë edhe ndaj çështjeve të tjera që shqetësojnë aktualisht konsumatorët shqiptarë, siç është rritja e njëanshme e përqindjeve të kredive bankare nga disa Banka të nivelit të dytë, fakt që po rëndon shumë xhepin e qytetarëve.

Sipas ZMK-së, rezulton se kjo ka ndodhur si pasojë e disa vendimeve antikonsumatore që ka ndërmarrë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, duke shkelur dorazi me të dyja këmbët sikundër cilëson ZMK, Kodin Civil.

Në vëmendje të protestave të koalicionit do të jenë edhe propozime konkrete për institucionet qeveritare në lidhje me masat që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare për të ulur pasojat e krizës globale, ndaj rritjes së çmimit të ushqimeve, si dhe marrjes së masave të nevojshme për mbrojtjen e interesave të shtresave të varfëra të popullsisë, si dhe masa për ujin e pijshëm, transportin qytetas, ndërqytetas, ndërkombëtar, për rritjen e çmimeve të barnave etj.

Për këtë arsye shoqatat, sindikatat, klubet e konsumatoreve do të shprehen në një tryezë të rrumbullakët që do të realizohet, në 30 nëntor pranë Shtëpisë së Shoqatave dhe Qendrës Rinore.

mit/NOA
KOMENTE