Tiranë, 25 nëntor 2010, NOA - Pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha në Kuvend ka ardhur dhe reagimi i kreut të grupit parlamentar të PS-së. Ruçi u ndal në deklarata e Berishës se ai është kryeministri në hije i PS-së duke i cilësuar këto si diversione.
“Unë Gramoz Ruçi e kam zgjedhur dhe e kam përcaktuar vet ambicien time politike, PS e ka zgjidhur një herë e se kush e ka zgjidhur se kush është kryeministër”, u shpreh Ruçi duke nënkuptuar kryetarin aktual të PS-së, Edi Rama.
Por në deklaratë e tij Ruçi bëri dhe një paralelizëm me dënimin e krimeve në vend.
Ai u shpreh se dy të burgosur për tentative vrasje dhe vjedhje i kanë kërkuar amnisti, duke deklaruar se nuk kanë bërë asgjë më shumë se Sali Berisha.
“Pra një muaji dy të dënuar i bën një letër Grupit Parlamentar të PS-së për të bërë një amnisti. Njëri ishte dënuar për një tentativë vrasjeje, tjetri ishte dënuar për vjedhje të tre milionë lekëve. U ktheva përgjigje se Grupit Parlamentar i PS nuk mund të marrë nismë pasi këto vepra janë të pa amnistueshme”, tha Ruçi.
Më pas përmendi dhe përgjigjen e dy të burgosurve duke bërë paralelizmin me kryeministrin Sali Berisha.
“Ata më kthyen përgjigje Z, Ruçi se çfarë kemi bërë ne e dimë dhe fajin e pranuam. Por me vjen keq që ti si kryetar grupi dëgjon një kryeministër që vjedh miliona dhe vetëm me një të shtënë vrau 26 njerëz. Dua të them që mos e quaj veten të pazëvendësueshëm, kushdo në këtë sallë mund të jetë kryeministër”, tha Ruçi
Kreu i Grupit të PS-së u shpreh se kryeministri Berisha duhet të pranojë humbjen e pushtetit. “Mos e përjeto keq lënien e pushtetin se të bën keq nga ana shëndetësore”, tha Ruçi.
Ai e cilësoi daljen e kryeministrit Berisha në Kuvend pasdite si dalje për edicionin informativ të mbrëmjes.
a.k/NOA