English

Arrestohet drejtori i kompanisë më të madhe të sigurimeve

Kompania e sigurimeve "Kosova e Re" është trashëgimtare e shtëpisë më të vjetër të sigurimeve "Kosova" dhe si e tillë është më e madhja, me shtrirje më të gjerë në tërë territorin gjeografik të Kosovës dhe me të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë në të gjitha llojet e sigurimeve

Prishtinë, 26 nëntor 2010 - Është arrestuar në Prishtinë drejtori i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga Policia e Kosovës e cila detajoi se kreu sot në orën 10:30 ekzekutimin e urdhrit të pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Bëhet e ditur se si pjesë e procedurës hetimore, me të njëjtën urdhëresë është arrestuar edhe këshilltari i drejtorit nga kompania e njëjtë.

Urdhëresa është realizuar nga oficerët e Policisë së Kosovës që janë pjesë e Task Forcës Kundër Korrupsionit.

Që të dy të dyshuarit, njëri kosovar shqiptar e tjetri kosovar turk janë arrestuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Kompania e sigurimeve "Kosova e Re" është trashëgimtare e shtëpisë më të vjetër të sigurimeve "Kosova" dhe si e tillë është më e madhja, me shtrirje më të gjerë në tërë territorin gjeografik të Kosovës dhe me të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë në të gjitha llojet e sigurimeve.

Kompania e Sigurimeve "Kosova", në tregun e sigurimeve në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1974. Nga ky vit, në përputhje me ridefinimin e statusit të saj, u themelua si Bashkësi e sigurimit të Pasurisë dhe Personave me emrin "Kosova". Që nga viti 1990 ka punuar si shoqëri aksionere.

Në harmoni me bazat e transformimit të pronësisë, Kuvendi i aksionarëve vendosi ta riorganizojë në Kompani të Sigurimeve "Kosova", me status të shoqërisë aksionare, duke miratuar aktet themelore si dhe duke emëruar Këshillin Drejtues, Këshillin mbikëqyrës dhe Drejtorin e përgjithshëm të Kompanisë.

Në aplikim të Rregullores nr. 2001/25 nga BPK-ja, Kompania u transformua në Shoqëri aksionare me përgjegjësi të kufizuara dhe me dt. 25. 04. 2002 u promovua me licencë të përhershme për veprimtari të sigurimeve të përgjithshme nr. 007 si Kompania e sigurimeve "Kosova e Re".

Zyrtarisht thuhet se kapitali i Kompanisë së Sigurimeve “Kosova e Re” përfshin shumën prej 5.000.000,00 € dhe përbëhet prej vlerës së pasurisë së kapitalit themeltar, të fondit të sigurimeve dhe fondeve tjera.

Selia e Kompanisë gjindet në Prishtinë në rrugën “Fazli Grajçevci” nr. 5. Kompania ka filialet e veta në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, në: Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan. Poashtu i ka dhe ekspoziturat të cilat janë të organizuara si shtrirje të filialeve në qytetet tjera më të vogla. Shtrirja gjeografike e Kompanisë tregon qartë seriozitetin dhe rëndësinë e saj.

Nuk është vala e parë e arresteve për këtë kompania.

Më 16 prill 2007, “Kosova e re” dhe “Casino king” u akuzuan se dëmtuan buxhetin për 2 milionë euro dhe tre persona u arrestuan atëherëë, gjatë një aksioni në shkallë të gjerë kërkimi dhe hetimi të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK), i cili u krye ndaj dy kompanive kosovare, kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re” dhe “King Casino”.

Ato akuzohen se kanë bërë mashtrime, pastrim të parave të pista dhe ikje nga tatimet në vlerë prej 2 milionë euro.

r.b/NOA

KOMENTE