Tiranë, 26 nëntor, NOA – Liberalizimi i vizave ka krijuar më shumë besueshmëri për investitorët e huaj. Philippe Suinen, administratori i përgjithshëm i Agjencisë së Valonias (Ëallonia) për Investimet e Huaja në Belgjikë deklaroi sot gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha se qeveria dhe kompanitë belge kanë paraqitur projekte, për të filluar bashkëpunimin, fusha e shëndetësisë dhe ajo e përpunimit të mbetjeve.
Në takimin me kreun e qeverisë ka qenë i pranishëm dhe ambasadori i Belgjikës për Shqipërinë, rezident në Sofie (Bullgari), Marc Michielsen.
Duke folur për projektet në mbetjet urbane, Suinen informoi se ka përfunduar studimi i fizibilitetit për përpunimin mbetjeve urbane dhe do të kalohet në fazën e dytë. Gjithashtu, pastrimi i ujërave të ndotura të Elbasanit është një tjetër fushë me projekte në zhvillim.
Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi për bashkëpunimin e ofruar në këto fusha, i siguroi se ato përbënin prioritete të strategjisë ekonomike të qeverisë së tij. Kryeministri garantoi mbështetjen dhe bashkëpunimin pa rezerva për suksesin e tyre.
Ai i ftoi investitorët belgë që, krahas fushave të mësipërme, të shtrinin aktivitetin e tyre edhe në fusha të tjera me potencial të madh si energjia, mineralet, turizmi, bujqësia, mjedisi etj.
“Ambicia jonë, për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të prodhimit dhe eksportit të energjisë përbën një potencial të madh për bizneset belge që, në partnership me ato shqiptare, të mund të përdorin gjeografikisht Shqipërinë për t’u shtrirë në tregun e rajonit dhe atë europian”, tha Berisha.
Përfaqësuesi belg i propozuan Kryeministrit bashkëpunimin për të aktivizuar diasporën shqiptare, e cila ka një reputacion të mirë në Belgjikë, në projekte biznesi të përbashkët belgo-shqiptare, e shoqëruar kjo me promovimin e imazhit të Shqipërisë në të gjitha aspektet, duke theksuar potencialin e madh turistik të vendit.
Ambasadori Michielsen shprehu mbështetjen e qeverisë dhe vendit të tij, i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, për bashkëpunimin e frytshëm e të gjithanshëm me qeverinë shqiptare, në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe BE-së.
a.k/NOA