Në mes të Europës, në kushtet kur Shqipëria duhet të shkojë përpara, kur sapo kemi humbur trenin më të rëndësishëm në rrugën e integrimit qyshse kemi filluar, apo rifilluar këtë rrugë pas shembjes së shtetit në vitin 1997 dhe kur duhet që realisht palët e në radhë të parë pala në pushtet të reflektojë në interes të vendit dhe të njerëzve
Nga Edi Rama
Dua të them dy fjalë për atë që ju, qytetarët e këtij vendi panë dje në parlamentin e Shqipërisë. Nga një anë një projekt tjetër i ndërtuar me vizionin e piramidës që i ka themelet mbi nevojën për të gënjyer publikun. Nga ana tjetër të një kryetari qeverie që nuk arrin më të përmbajë veten e tij, as kur nuk është nevoja që të flasë, që flet pa pushim dhe që jo vetëm gënjen, gënjen, gënjen, por edhe ju jep shqiptarëve, u jep të rejave dhe të rinjve, fëmijëve të këtij vendi, shembullin më të keq të edukatës qytetare dhe të komunikimit me të tjerët.
Një shfaqje e pashembullt vulgariteti, banaliteti, dhune verbale e orkestruar nga kryeministri i vendit, në një parlament që u bë njëri nga shkaqet themelore të refuzimit të statusit të kandidatit për Shqipërinë.
Në mes të Europës, në kushtet kur Shqipëria duhet të shkojë përpara, kur sapo kemi humbur trenin më të rëndësishëm në rrugën e integrimit qyshse kemi filluar, apo rifilluar këtë rrugë pas shembjes së shtetit në vitin 1997 dhe kur duhet që realisht palët e në radhë të parë pala në pushtet të reflektojë në interes të vendit dhe të njerëzve.
Një shfaqje jashtëzakonisht shqetësuese për gjendjen mendore të kryeministrit, por edhe për kalbëzimin e plotë moral dhe politik të këtij pushteti të vjedhur që rri mbi kutitë e mbyllura dhe nuk i ka mbetur më asgjë tjetër përveçse të bëjë, të zhbëjë, të ribëjë, të rizhbëjë dhe prapë të ribëjë buxhete të mbështetur mbi manipulime shifrash, mbi manipulime premtimesh, mbi manipulime mirëfilli elektorale edhe pse s’jemi në fushatë elektorale.
Por fatkeqësisht kemi një qeveri që punë të vetme të rëndësishme dhe që e bën me zell 24 orë në 24 ka luftën me opozitën, a thua se këtë qeveri shqiptarët e duan aty ku është që ti mbrojë nga opozita dhe jo që tu zgjidhë hallet dhe problemet e tyre duke i adresuar ato me transparencë, me vullnet të mirë dhe me ide të vlefshme.
Por as transparenca, as vullneti i mirë, as idetë e vlefshme nuk janë pjesë e repertorit të këtij procesi qeverisës që është tërësisht i korruptuar dhe që nuk ka si të jetë ndryshe përderisa zanafillën e vet e ka tek korrupsioni i zgjedhjeve, tek deformimi i votës së popullit, tek dhunimi i kushtetutës dhe i ligjit duke penguar transparencën dhe duke i sjellë gjërat në një pikë ku realisht shqiptarët do të paguajnë përditë një kosto që shtohet, ndërkohë që një grusht njerëzish që është pikërisht grushti i këtyre njerëzve në këtë oborr në pushtet, rrit eksponencialisht masën e përfitimeve të paligjshme.
Gjithsesi le të përmbledhim në pak fjalë atë çka sot quhet buxheti i ri i shqiptarëve që është një, e përsëris, piramidë e ngritur jo mbi themelin e një ekonomie që funksionon, por mbi nevojën e një pushteti që nuk funksionon, në një demokraci që nuk funksionon. Shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, ata që jetojnë me punë të ndershme e që në radhë të parë kanë të ardhurat mesatare normale, vazhdojnë të paguajnë më shumë sesa ata që fitojnë më shumë dhe që paguajnë më pak.
Ky buxhet rikonfirmon një vizion të mbrapshtë dhe një filozofi po aq të mbrapshtë të një qeverie që qeveris me padrejtësi, sepse padrejtësisht është aty ku është. Rikonfirmon vullnetin për të vazhduar për të rritur çmimin e jetës së shqiptarëve, duke u premtuar çdo ditë rritje rrogash e pensionesh dhe duke i lenë përditë rrugëve përballë çmimesh që rriten shumë më tepër sesa rrogat dhe pensionet, sepse kjo është një ekonomi që nuk funksionin.
Nuk ka asgjë më tallëse sesa krahasimi i përditshëm me Gjermaninë, me Francën e me Europën mbarë që na qenka në një krizë që Shqipëria nuk e paska dhe që po ulka përditë rrogat dhe pensionet e qytetarëve në Europën në krizë, ndërkohë që në Shqipërinë tonë u zhvilloka një mrekulli ekonomike dhe shqiptarët qenkërkëshin njerëzit më të lumtur ne Europën dhe në botën e sotme.
Nuk ka tallje më të madhe të mundshme sesa kjo dhe nuk ka nevojë për argumenta të tjerë dhe për shembuj të tjerë për tu shqetësuar seriozisht, e përsëris, për gjendjen mendore të njeriut që mban me pahir pushtetin, me vota të vjedhura, mbi kuti të mbyllura dhe që rrit dozën e cinizmit, të talljes dhe të nëpërkëmbjes së shqiptarëve dhe të probleme të tyre.
Duke e mbyllur këtë pjesë me bindjen se ekonomia familjare e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi do të vazhdojë të përkeqësohet, se ekonomia e vendit në tërësi do të vazhdojë të mbetet peng i interesave të oborrit të pushtetit dhe jashtë kuadrit të një konkurrence me standarde që garanton pjesëmarrjen e lirë të të gjithë atyre që duan dhe mund të konkurrojnë.
Duke kaluar në pikën tjetër, do të thosha që është koha që kërkon një sens urgjence nga të gjithë për të shpëtuar vendin nga humnera ku po e shtyn përditë Sali Berisha. Është koha ku idealisht do të duhej që vetë Saliu të kishte po këtë sens urgjence dhe të kuptonte se duhet të shohë të vërtetën në sy, duhet të shohë në sy realitetin që të gjithë e gjejmë në pasqyrën që na ka vënë përballë Komisioni Europian, me opinionin negativ për statusin e kandidatit për Shqipërinë dhe me refuzimin për të çelur negociata me Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Është koha për të zgjidhur një orë e më parë krizën, për të mos u fshehur pas artificesh që realisht janë sa absurde aq edhe qesharake, por edhe më shumë cinike, për të mos vazhduar me metodën e zvarritjes në funksion të projektit për të grabitur edhe zgjedhjet e ardhshme. Është koha që oferta jonë të merret seriozisht, që oferta jonë të pranohet, që transparenca të fillojë, që bashkë me transparencën të fillojë edhe puna për një kuadër zgjedhor që do të mundësojë zgjedhje të standardeve ndërkombëtare.
Është koha po ashtu në funksion të nxjerrjes së vendit nga kriza dhe kur flas për nxjerrjen e vendit nga kriza nuk flas për nxjerrjen e palëve nga kriza politike, e shkaktuar prej vjedhjes së 28 qershorit të shkuar, por flas për akoma më shumë e akoma më gjerë e më thellë se kaq, për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë e gjithanshme e cila nuk mund të fshihet më me propagandën frenetike dhe të shpifur të mrekullive e të sukseseve që ndodhkan në vendin tonë e të lumturisë që duhet të ndjekan shqiptarët sepse paskan Saliun kryeministër.
Në funksion të këtij sensi urgjence, në funksion të domosdoshmërisë për ti adresuar problemet e këtij vendi, në funksion të detyrimit që kemi që të gjithë, secila palë dhe të gjitha partitë pjesëmarrëse në parlament, duke mos lejuar që vitin e ardhshëm të rihumbim trenin e integrimit duke rimarrë një refuzim tjetër dhe duke e futur të gjithë procesin e çeljes së negociatave së statusin e kandidatit, në të njëjtin binar ku u fut dhe procesi i liberalizimit të vizave, që u vonua vite e vite.
Të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë dhe të mos e vonojmë edhe mocionin për debat që opozita ka kërkuar në parlament si dhe të gjejmë vullnet për ta miratuar rezolutën e propozuar nga opozita, në funksion të adresimit të të gjitha atyre problemeve që i ka nxjerrë në pah KE dhe që janë bërë shkak që Shqipëria të përjetojë dështimin më të madh në rrugën e integrimit, refuzimin e statusit të kandidatit për BE.
Refuzimin e BE për të çelur negociata me Shqipërinë dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të saj në familjen Europiane.